Lidhje

Ne Irak plagoset lehte nje paqeruajtes shqiptar - 2003-09-16


Ministria shqiptare e mbrojtjes saktësoi sot në mesditë se gjatë shpërthimeve pranë aeroportit të Mosulit në Iraq, është plagosur lehtë aksidentalisht vetëm një paqeruajtës shqiptar. Shefi i shtabit i ushtrisë Pëllumb Qazimi i tha Zërit të Amerikës, se paqeruajtësi shqiptar ka marrë vetëm një lëndim të lehtë në dorë dhe është mjekuar nga mjeku i misionit shqiptar atje.

Lajmet e agjencive të huaja për shpërthimet që ndodhën mbrëmë pranë aeroportit të Mosulit në Irak, ku veprojnë edhe trupat komando të ushtrisë shqiptare krijuan shqetësim sot paradite kur njoftohej fillimisht se mes të plagosurve ishin edhe tre ushtarë shqiptarë. Ministria e mbrojtjes kontaktoi menjëherë me komandën e misionit të paqeruajtësve shqiptarë. Shefi i shtabit Pëllumb Qazimi, i tha Zërit të Amerikës, se vetëm një ushtar shqiptar kishte marrë një lendim të lehtë në dorë:

"Gjatë ditës së djeshme, në orën 1.20 me orën e Tiranës, gjatë kthimit të një patrulle të komandove shqiptare pas përfundimit të detyrës, në vendislokimin e përhershëm është hedhur një granatë, dhe një cifël e saj ka dëmtuar fare lehtë në dorën e majtë një ushtar komando. Nuk ka patur asnjë problem tjetër. Njoftimet për tre të plagosur nuk qëndrojnë aspak. As në spital nuk ka vajtur njeri, dhe është duke u mjekuar nga mjeku ynë aty."

Shefi i shtabit i ushtrisë shqiptare ka shpjeguar se ka kontaktuar personalisht jo vetëm me komandantin e misionit por edhe me ushtarin e lënduar duke siguruar se paqeruajtësit po vazhdojnë normalisht misionin.

Shqipëria ishte ndër vendet e para e cila përkrahu luftën në Irak dhe vuri në dispozicion të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara jo vetëm bazat dhe hapësirat e saj ajriore e detare por edhe një kompani komando. Trupat shqiptare po veprojnë prej disa muajsh në Irak, prane aeroportit të Mosulit, nën komandën e ushtrisë amerikane.

//ss//

XS
SM
MD
LG