Lidhje

Gjenerali Klark dhe gara presidenciale - 2003-09-19


Në Shtetet e Bashkuara beteja në radhët e kandidatëve demokratë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2004 u bë këtë javë më e ndërlikuar dhe më e paparashikueshme me hyrjen në garë të gjeneralit në pension Wesley Clark. Siç njofton korrespondenti ynë, ai është demokrati i dhjetë që hyn në garën presidenciale.

George Washington, Ulysses Grant dhe Dwight Eisenhower, kanë qenë të gjithë gjeneralë dhe amerikanët kanë treguar se u pëlqen ideja që si presidentë të zgjedhin ushtarakë. Në fakt, 12 nga të 42 presidentët e Amerikës kanë qenë gjeneralë para se të zgjidheshin në këtë post.

Tani, këtë post po e kërkon gjenerali në pension Wesley Clark. Më i miri i klasës në akademinë ushtarake amerikane të West Pointit, gjenerali Clark fitoi emër si drejtues i operacionit të vitit 1999 në Kosovë kur ai ishte në cilësinë e komandantit suprem të Natos.

Tani ai ka në plan të shfrytëzojë të kaluarën e tij të shquar ushtarake, duke premtuar se do të kthejë vendet e humbura të punës brenda vendit dhe do të përmirësojë imazhin e Amerikës jashtë.

Këto janë kohë historike dhe ne do të zhvillojmë një fushatë që i shkon kohëve historike që jetojmë. Ne do të zhvillojmë një fushatë që do ta shtyjë vendin përpara dhe jo prapa. Ne do t’i flasim qartë popullit amerikan sepse në kohërat e sfidave të mëdha historike, populli amerikan meriton të dëgjojë të vërtetën dhe ta dëgjojë atë me një gjuhë të qartë dhe të thjeshtë, tha zoti Clark.

Të nëntë demokratët e tjerë që kandidojnë për president, si dhe dhjetra ekspretë dhe strategë të tjerë politikë, po përpiqen tani të vlerësojnë ndikimin që mund të ketë hyrja e gjeneralit Clark në garë. Ja ç’thotë analisti politik Stuart Rothenberg.

Ai e bën garën më të paparashikueshme për shkak të vemendjes që i është kushtuar dhe do t’i kushtohet. Ai është një fytyrë e re dhe ka një personalitet interesant. Nuk është aspak e qartë nëse ai do të rezultojë një konkurrent i denjë apo thjesht një person interesant që sapo të ketë hyrë në garë do të provojë se nuk është në lartësinë e duhur. Pra mendoj se do të na duhet të presim dhe të shohim, thotë analisti Rothenberg.

Simpatizantët e shohin Clarkun si një kandidat tërheqës, të gojës dhe si demokratin që ka shanset më të mira për t’i bërë sfidë Presidentit Bush në çështjet e sigurimit kombëtar dhe të politikës së jashtëme.

Por gjenerali ka edhe kritikët e tij. Ata thonë se gjatë kohës së Presidentit Clinton, personaliteti i tij energjik çoi në përplasje me kolegët e tij oficerë dhe civilë të mbrojtjes, të cilët e shikonin atë si një njeri arrogant dhe se, më fund kjo çoi në largimin e tij si komandant suprem i Natos.

Hyrja vonë e gjeneralit Clark në garë e vë atë përballë disa sfidave të vështira politike. Atij do t’i duhet të grumbullojë shumë fonde brenda një kohe të shkurtër dhe të organizojë ekipet e fushatës në garat paraprake në shtetet Iowa dhe New Hampshire, gjë që rivalët e tij janë duke e bërë prej muajsh.

Gjenerali Clark e ka kritikuar strategjinë ushtarake të Presidentit Bush në Irak dhe politikën e administratës për Irakun e pasluftës, retorikë që u pëlqen demokratëve të pakënaqur me zotin Bush.

Por analisti Stewart Rothenberg thotë se gjenerali Clark mund ta ketë të vështirë të konkurrojë me njeriun që kryeson midis kandidatëve demokratë, ish guvernatorin e shtetit Vermont, Howard Dean.

Megjithëse nuk i përket qarqeve të brendshme të politikës, gjë që tani për tani është një plus, në garë ka tashmë një tjetër figurë që gjithashtu nuk u përket këtyre qarqeve dhe ky është Howard Dean, i cili e ka kritikuar qysh më parë luftën në Irak. Pra, Wesley Clarkut do t’i duhet që në një farë mënyrë të arrijë të mposhtë zotin Howard Dean, thotë analisti.

Demokratët besojnë se problemet e ekonomisë amerikane dhe ato në Irak e kanë dobësuar Presidentin Bush javët e fundit. Historiani Allan Lichtman thotë se kjo do ta intensifikojë luftën në kampin e demokratëve.

Popullariteti i George Bushit midis amerikanëve tani ka rënë në 52 përqind, aty ku ishte përpara 11 shtatorit 2001. Numri i atyre që do të dëshironin rizgjedhjen e tij është nën 50 përqind, thotë historiani.

Por një anketë tjetër e fundit tregon se Presidenti Bush do ta kishte të lehtë të mposhtëte cilindo nga rivalët e tij demokratë vitin tjetër, gjë që tregon ndoshta se ai ka një rezervuar mbështetjeje të krijuar në kohën kur ai formuloi politikat për luftën kundër terrorizmit pas 11 shtatorit 2001.

Analisti Stewart Rothenberg thotë se gara e vitit 2004 do të përcaktohet nga fakti se si e shikon publiku amerikan gjendjen e ekonomisë dhe situatën në Irak pas 6 ose 8 muajsh.

Edhe një kandidat si gjenerali Clark i cili ka hyrë vonë në garë, ende ka kohë për të grumbulluar simpatizantë rreth fushatës së tij. Demokratët do ta fillojnë zyrtarisht procesin e zgjedhjes së kandidatit të tyre nga mesi i janarit në shtetin Iowa dhe më pas në New Hampshire.//ii

XS
SM
MD
LG