Lidhje

Teknologjia ndihmon te rinjte te njohin kulturat e tjera - 2003-09-20


Të rinj nga e mbarë bota, gjatë muajve të ardhshëm, do të jenë duke krijuar një ide se si epoka e re e informacionit do t’i ndihmojë ata të kuptojnë më mirë kulturat e tjera.

Një projekt i financuar nga Cyberschoolbus i Kombeve të Bashkuara dhe European Schoolnet do t’i ndërlidhë ata për të marrë në shqyrtim një marrëdhënie ndërmjet teknologjive informative e komunikative dhe të të drejtave të njeriut.

Projekti po etiketohet si ngjarja më e madhe në fushën e edukimit ndonjëherë. Ai përbën gjithashtu një shikim paraprak se si fëmijët e sotëm dhe të së nesërmes do të njohin vende e popuj të largët.

Të rinj nga çdo cep i globit po marrin pjesë në këtë projekt që do të zgjasë tre muaj për të shqyrtuar ndikimin e teknologjisë informative në fushën e të drejtave të njeriut. Projekti filloi me një konferencë shtypi tepër moderne ku u prezantuan nxënës, mësues dhe zyrtarë të Kombeve të Bashkuara nga katër vende.

Në New York, nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së për Informacion Publik, Shasho Tharoro, tha se projekti do të kishte qenë i pamundur madje edhe para 6 vjetëve.

“Dhe ky është vetëm fillimi. Më shumë informacion mund të dërgohet tani përmes një kablloje në sekond se sa mund të dërgohej në një muaj në vitin 1997”.

Zoti Tharoor ishte lidhur përmes internetit me studentë dhe mësues në Gjenevë, në Kampala të Ugandës dhe Dar es Salam të Tanzanisë të cilët do të marrin pjesë në projekt.

Folësit, shumë prej të cilëve adoleshentë, folën me gjuhën e epokës së informacionit duke përdorur fraza, si teknologjia informative, hendeku dixhital, e madje, duke përmednur një profesion të ri - ndërlidhësi shkollor.

Brigitte Parry, drejtuese në European Schoolnet është një nga pioneret e kësaj fushe të re. Duke folur nga Gjeneva, ajo tha se nuk është përcaktuar ende ndonjë përshkrim për profesionin e saj.

“Unë jam ‘school networker’, që përkthehet disi si ndërlidhëse shkolle. Çdo do të thotë ky emërtim, askush nuk e di akoma. Por ‘school networking’ do të thotë lehtësim i krijimit të strukturave në formë rrjetesh bashkërenduese nëpër shkolla, të cilat mund të punojnë së bashku”.

Zonja Parry do të ndihmojë në bashkërendimin e këtij projekti tremujor për nxënës shkollash, ku do të përfshihen veprimtari të njëkohshme përmes internetit dhe një konkurs për pllakate.

Disa studentë të shkollës ndërkombëtare të Gjenevës ishin të ndërlidhur gjithashtu me konferencën e shtypit përmes internetit. Alegra Richardson, nxënëse amerikane në këtë shkollë, thase projekti do të theksojë rëndësinë e respektit universal për të drejtat e nejriut.

“Teknologjitë informative e komunikative janë diçka me të cilën jemi rritur. Ne jemi përgjegjës se si të përdoren këto teknologji në të ardhmen, pasi shpresojmë që një ditë çdo nen i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut do të jetë i vërtetë për të gjithë njerëzit kudo që të ndodhen dhe teknologjitë informative e komunikative duhen shfrytëzuar për vënien në zbatim të këtij objektivi”.

Mirëpo kritikët thonë se kjo nxitje drejt përdorimit gjithnjë e më intensiv të internetit e krijimit të një farë varësie prej tij, po e thellon gjithnjë e më shumë hendekun ndërmjet të pasurve dhe të varfërve. Këtë hendek ata e quajnë “dixhital”. Por Shashi Tharoor i Kombeve të Bashkuara thotë se ky projekt po bën çdo përpjekje për të mbushur këtë hendek duke përhapur sa më gjërë që të jetë e mundur të mirat e kibernetikës.

Projekti do të mbyllet më 11 dhjetor gjatë punimeve të Takimit të Nivelit të Lartë mbi Informacionin, i cili do të zhvillohet në Gjenevë, me një komunikim përmes internetit ndërmjet nxënësve dhe një udhëheqësi botëror duke shënuar kështu 55-vjetorin e nënshkrimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.//kk//

XS
SM
MD
LG