Lidhje

Irak: 3 ushtare amerikane vriten dhe shume te tjere plagosen nga dy sulme te vecanta - 2003-09-21


Zyrtarë ushtarakë në Irak thonë se 3 ushtarë amerikanë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën nga dy sulme të veçanta në periferi të Bagdadit.

Një sulm me mortaja kundër një burgu nën kontrollin amerikan në perëndim të kryeqytetit irakian shkaktoi vrasjen e 2 ushtarëve amerikanë dhe plagosjen e të paktën 13 të tjerëve. Zyrtarët amerikanë thanë se asnjë i burgosur në burgun e madh Abu Graib nuk u plagos gjatë sulmit dje vonë.

Një ushtar tjetër amerikan vdiq dje vonë kur automjeti i tij u godit nga një bombë në qytetin e Ramadit.

Nuk ka njoftime për autorët e sulmeve të djeshme, incidentet më të fundit në sulmet thuajse të përditshme kundër forcave amerikane në Irak.

Këto sulme vdekjeprurëse ndodhën vetëm disa orë pas përpjekjes për vrasjen e një anëtareje të Këshillit Qeverisës të Irakut. Akila al-Hashimi, një prej 3 anëtareve gra në këtë këshill, u plagos rëndë nga sulmi.

Zonja al-Hashimi dhe tre nga truprojet e saj u plagosën kur persona të armatosur i zunë pritë makinës me të cilën ajo po udhëtonte. Atentatorët u larguan dhe askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Një këshilltar britanik i policisë irakiane tha se zonja al-Hashimi është operuar 2 herë në një spital ushtarak amerikan. Ai tha se zonja al-Hashimi është në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut.

//ze//

XS
SM
MD
LG