Lidhje

Jaap de Hoop Scheffer-sekretar i ri i përgjithshëm i Natos - 2003-09-22


Natoja zgjodhi Ministrin e jashtëm holandez, Jaap de Hoop Scheffer si sekretar të përgjithshëm të saj. Zoti Jaap de Hoop Scheffer do ti zerë vendin shefit të tanishëm të aleancës, britanikut George Robertson, i cili ka njoftuar se do të largohet nga kjo detyrë me mbarimin e mandatit të tij.

Sekretari i përgjithshëm i Natos, George Robertson, i cili do të largohet nga ky post në dhjetor, thotë se zoti de Hoop Scheffer i ka impresionuar kolegët me gjykimin dhe kuptimin e thellë të problemeve dhe krijuar një emër të mirë për profesionalizmin dhe sinqeritetin e tij.

Sipas zotit Robertson, Natoja ndodhet në një epokë sfidash dhe ministri i jashtëm holandez është njeriu i duhur për të garantuar se ajo do të vazhdojë të jetë aleanca më e suksesshme mbrojtëse e botës.

Këtë vit, Natoja u ndodh para përçarjes së saj më të madhe, kur kundërshtimi i Francës dhe Gjermanisë ndaj luftës në Irak, i tensionoi mjaft marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara si dhe me vende të tjera anëtare.

Holanda e mbështeti pa bujë luftën. Analistët thonë se zoti de Hoop Scheffer shihet si një njeri që mund t’i përmirësojë marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Natos, duke qenë njëkohësisht një mbështetës i fortë i integrimit evropian.

Zoti de Hoop Scheffer u takua javën e kaluar me Presidentin Bush gjtaë një vizite zyrtare në Uashington. Diplomatët thonë se takimi kaloi mirë dhe se Shtetet e Bashkuara e mbështetën kandidaturën e tij.

Zoti de Hoop Scheffer është një diplomat karriere që u bë më vonë politikan. Ai ka shërbyar në misionin holandez të Natos në vitet 80 dhe më vonë u bë deputet i parlamentit. Pastaj ai u zgjodh udhëheqës i kristian demokratëve të qendrës së djathtë.

Ai është holandezi i tretë që vihet në krye të Natos.

Procesi i zgjedhjes së udhëheqësit të ri të Natos zhvillohet në fshehtësi të madhe. Por gjatë kësaj periudhe janë përmendur disa emra të tjerë, përfshirë komisionerin portugez të Bashkimit Evropian, Antonio Vittorino, ministrin norvegjez të mbrojtjes, Kristen Krohn Devold dhe ministrin italian të mbrojtjes, Antonio Martino.

XS
SM
MD
LG