Lidhje

Presidenti Bush u përplas në OKB me zotërinjtë Shirak dhe Anan - 2003-09-23


Presidenti Bush mbrojti me zell vendimin e tij për të pushtuar Irakun pa një rezolutë të Këshillit të Sigurimit. Mirëpo fjalimi i tij u mbajt ndërmjet fjalimeve të dy udhëheqësve të tjerë botërorë, të cilët dënuan stilin e njëanshëm të Washingtonit.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, e çeli senacën me një kritikë të ashpër ndaj vendeve që veprojnë në mënyrë të njëanshme, duke shkelur parimin se përdorimi i forcës kërkon legjitimitetin unik të Kombeve të Bashkuara, siç u shpreh ai. Ndërkohë që nuk i përmendi Shtetet e Bashkuara me emër, zoti Annan kritikoi logjikën e vendimit të Washingtonit për të ndërhyrë kundër qeverisë së Sadam Huseinit.

“Sipas kësaj logjike, vendet nuk janë të detyruara të presin deri sa të arrihet një marrëveshje në Këshillin e Sigurimit. Përkundrazi, këto vende preferojnë të veprojnë në mënyrë të njëanshme apo në koalicione të krijuara posaçërisht për raste të veçanta. Kjo logjikë është në kundërshtim me parimet mbi të cilave, megjithëse jo të përsosura, paqja dhe stabiliteti i botës janë bazuar gjatë 58 vjetëve të shkuara”.

Megjithatë, kur i erdhi radha të fliste, Presidenti Bush nuk shprehu keqardhje për vendimin e tij. Përkundrazi, ai tha para Asamblesë së Përgjithshme se ende beson se ashtu duhej vepruar.

“Meqenëse një koalicion vendesh veproi në mbrojtje të paqes dhe të besueshmërisë së Kombeve të Bashkuara, Iraku është i lirë dhe sot me ne ndodhen përfaqësues të një vendi të çliruar”.

Zoti Bush i tha organizatës botërore se është koha të lihen mënjanë mosmarrëveshjet e kaluara dhe të shikohet nga e ardhmja. Por pas pak, Presidenti francez, Zhak Shirak, u ngjit në podium nga ku kritikoi tepër ashpër Washingtonin. Ai tha se vendimi amerikan për përmbysjen e Sadam Huseinit shkaktoi njërën nga krizat më të rënda të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në historinë e saj.

“Askush nuk mund të pretendojë se ka të drejtë të përdorë forcën në mënyrë të njëanshme apo parandaluese”.

Zotërinjtë Shirac dhe Bush u takuan privatisht pas fjalimeve të tyre me shpresën e sheshimit të mosmarrëveshjeve se si duhet vepruar tani e prapa në Irak. Megjithatë, më pas udhëheqësi francez u tha gazetarëve se mosmarrëveshjet ende vazhdojnë.

Presidenti Shirak kërkon që, brenda disa muajsh, irakianëve t’u kalohet sovranitet i plotë, por zoti Bush e bëri të qartë se nuk do të nxitojë. Në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme tha se dita që irakianët të vetëqeverisen as nuk do të afrohet me ngut dhe as nuk do të vonohet sipas dëshirave të palëve të tjera.

Shtetet e Bashkuara po kërkojnë mbështetje për një projekt-rezolutë të Këshillit të Sigurimit që synon krijimin e një force shumëkombëshe për Irakun dhe një kontribut më të madh për rindërtimin e vendit. Por Franca dhe vende të tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit po kërkojnë një rol më të madh të Kombeve të Bashkuara në përpjekjet për rindërtimin e Irakut.

//ze//

XS
SM
MD
LG