Lidhje

Presidenti Bush  dhe  kancelari Shrëder lenë mënjanë mosmarrëveshjet - 2003-09-24


Presidenti Bush dhe Kancelari gjerman Gerhard Schroeder thonë se i kanë kapërcyer mosmarrëveshjet që kishin për përmbysjen e Sadam Huseinit. Presidenti Bush ndodhet në New York ku po përpiqet të sigurojë mbështetje për një rezolutë të re të Kombeve të Bashkuara që do të autorizonte një forcë shumëkombëshe sigurie për Irakun.

Ky ishte takimi i parë zyrtar mes dy udhëheqësve që nga viti i kaluar, kur Gjermania së bashku me Francën ia mohuan Presidentit Bush autorizimin e OKB-së për të filluar luftën në Irak.

Tani presidenti Bush po kërkon ndihmë për rindërtimin e vendit dhe thotë se ka ardhur koha që të lihen mënjanë mosmarrëveshjet e kaluara me zotin Schroeder. “Gjëja e parë që i thashë atij ishte: ne kemi patur mosmarrëveshje dhe ato janë kapërcyer tani dhe ne do të punojmë së bashku. Unë besoj se kur Gjermania dhe Amerika bashkëpunojnë, ne mund të realizojmë plot gjëra pozitive. Ne të dy jemi të angazhuar për lirinë, të dy jemi të angazhuar për paqen, të dy jemi të angazhuar për mirëqenien e popujve tanë”, tha presidenti.

Duke folur përmes një përkthyesi, Kancelari Schroeder ra dakord se mosmarrëveshjet për Irakun, “janë lënë pas”, ndërsa ai dhe presidenti Bush ranë dakord për “të hedhur sytë nga e ardhmja së bashku”.

“Gjermania është shumë e interesuar që në Irak të ketë qëndrueshmëri, demokraci dhe zhvillim. Është shumë e rëndësishme, jo vetëm për vetë Irakun, por për rajonin si një i tërë, për Gjermaninë dhe rrjedhimisht edhe për Evropën”, tha kancelari

Dje, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti Bush tha se ishte i vetëdijshëm për mosmarrëveshjet për luftën në Irak, por tha se është koha që të “bëhen hapa përpara” drejt një sigurie më të madhe dhe drejt synimit përfundimtar, atij për kthimin e vetqeverisjes në Irak.

Presidenti Bush kërkon një forcë shumëkombëshe të Kombeve të Bashkuara nën kontrollin amerikan. Zoti Schroeder e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave gjermane në Irak, por ka ofruar ndihmë për të stërvitur policinë irakiane dhe prë të vazhduar rolin paqeruajtës të Gjermanisë në Afganistan.

Takimi i tyre bëhet një ditë pas takimit të Presidentit Bush me një udhëheqës tjetër që ka kritikuar ashpër ndërhyrjen në Irak, Presidentin francez, Jacques Chirac. Zoti Chirac kërkon që OKB-ja të ketë një rol më të madh politik dhe një afat për një qeveri të re sovrane.

Presidenti Bush thotë se është shumë herët për të caktuar një afat, pasi zgjedhjet e lira nuk mund të mbahen derisa të miratohet një kushtetutë e re. Ai thotë se procesi duhet të zhvillohet “në bazë të nevojave të irakianëve dhe nuk duhet as të ngutet, aa të vonohet nga dëshirat e palëve të tjera”.

Pavarësisht nga mosmarrëveshjet e vazhdueshme me francezët, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se Presidenti Chirac i tha presidentit Bush se nuk do të vërë veton në Këshillin e Sigurimit kundër rezolutës amerikane. Ai tha se Franca ka mundësi të abstenojë duke i hapur kështu rrugën miratimit të rezolutës.

//rd//

XS
SM
MD
LG