Lidhje

Bush: të gjitha vendet duhet të luftojnë terrorizmin - 2003-09-25


Siç tha presidenti Bush në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 23 shtator, terroristët i kanë shpallur luftë vetë organizatës botërore. Në një sulm në muajin gusht në selinë e misionit të OKB-së në Bagdat, terroristët vranë 22 veta që punonin për të ndihmuar popullin irakian. “Selia e OKB-së, tha presidenti Bush, ishte aty për të vendosur rendin dhe për të ndihmuar, dhe për këto arsye, terroristët vendosën se ajo duhej shkatërruar”.

“Duke marrë parasysh viktimat që ata vënë në shënjestër dhe mjetet që përdorin, terroristët e kanë qartësuar luftën në të cilën jemi të angazhuar. Ata që venë në shënjestër për të vrarë punonjësit e ndihmave, e kanë vënë veten kundër gjithë njerëzimit. Ata që nxisin vrasjet dhe gëzohen nga vdekja e të tjerëve, tregojnë përbuzjen që kanë për vetë jetën. Ata nuk kanë vend në asnjë lloj feje; ata nuk mund të sigurojnë simpatinë e botës dhe nuk duhet të kenë asnjë mik në këtë organizatë”, tha presidenti Bush.

Dy vjet më parë, terroristët e al-Kaidës sulmuan New Yorkun dhe Washingtonin dhe vranë më shumë se 3 mijë njerëz. Qysh atëherë, janë kryer sulme të tjera vdekjeprurëse në Bali, Mombasa, Kasablanca, Riad, Xhakarta dhe Jeruzalem. Këto ngjarje, tha presidenti Bush “na e kanë bërë të qartë vijën midis dy fronteve”. “...midis atyre që kërkojnë vendosjen e rendit dhe atyre që shkaktojnë kaos; midis atyre që punojnë për ndryshime paqësore dhe atyre që veprojnë si gangsterë; midis atyre që respektojnë të drejtat e njeriut dhe atyre që marrin qëllimisht jetën e grave dhe të fëmijëve pa asnjë lloj mëshire apo turpi”.

Midis këtyre alternativave, tha presidenti Bush, nuk ka rrugë të mesme. “Qeveritë që mbështesin terrorin, tha Presidenti Bush, janë në luftë kundër gjithë qytetërimit. Asnjë qeveri nuk duhet të mbaj qendrim mospërfillës ndaj kërcënimit terrorist pasi hidhja e vështrimi nga ana tjetër, u jep terroristëve mundësinë të riorganizohen, të rekrutojnë dhe të përgatiten”.

Presidenti Bush tha para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se të gjitha vendet duhet të luftojnë terrorin “sikur nga kjo luftë të varej jeta e popujve të tyre”.

//rd//

XS
SM
MD
LG