Lidhje

Statusi i paqartë i Kosovës ndikon negativisht në qëndrueshmërinë e Maqedonisë - 2003-09-25


Ed Joseph, ish-drejtor i Projektit të Grupit Ndërkombtar të Krizave për Maqedoninë, thotë se Marrëveshja e Ohrit i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni në vitin 2001 dhe krijoi mundësinë për një sërë të drejtash për shqiptarët, por përsëri nuk mund të thuhet se atje gjendja është plotësisht e stabilizuar. Zoti Joseph foli dje në një takim në Qendrën e Ndërkombëtare të Studjuesve Wilson.

Zoti Joseph i bëri një analizë të hollësishme gjendjes në Maqedoni, çfarë rreziku paraqesin konfliktet ndëretnike për qëndrueshmërinë e vendit, si po e lufton qeveria e koalicionit korrupsionin, si është gjendja ekonomike e vendit, çfarë ndikimi do të kishte një Kosovë e pavarur në qëndrueshmërinë e Maqedonisë dhe në atë të mbarë rajonit?

Zoti Joseph tha se aktualisht, Maqedonia nuk rrezikohet nga lufta, ashtu sikurse në vitin 2001, por megjithatë, tha ai, shpeshsherë vendi kërcënohet nga konfliktet ndëretnike. Këto konflikte, tha ai, janë të pranishme kudo, në jetën e përditshme, në incidentet midis banorëve dhe policisë, si në zonat e banuara kryesisht nga shqiptarët, ku policët maqedonas ushtrojnë dhunë ndaj banorëve shqiptarë dhe anasjelltas; konfliktet janë të pranishme nëpër shkolla dhe kohët e fundit ato janë shtuar, duke e bërë tepër të brishtë paqen në këtë vend, ku ndonëse ndarjet etnike kanë qenë tepër të mëdha, historikisht, nuk ka patur konflikte me dhunë, ndryshe nga konflikti i përjetshëm me dhunë midis shqiptarëve dhe serbëve.

Zoti Joseph tha se diplomatët perëndimorë thonë se në Maqedoni është arritur sukes dhe ai është dakord me mendimin e tyre.

Ku e sheh suksesin analisti Ed Joseph? Fillimisht, -thotë ai, -zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë demokratike, ato zëvendësuan një qeveri koalcioni të korruptuar, me një qeveri koalicioni, e cila, në përgjithësi, ka bërë një punë të kënaqshme. Në qeverinë e re të Maqedonisë përfshihet ish-udhëheqësi i kryengritësve shqiptarë, Ali Ahmeti, i cili shihej nga maqedonasit si terrorist, tani zoti Ahmeti mbështet unitetin e vendit. Partia e tij, Bashkimi Demokratik për Integrimin, merr pjesë në qeverinë e koalicionit të Branko Çervenkovskit, nga ana e tij një ish-komunist, i cili njihej si përfaqësues i ekstremistëve të majtë në qeveri, pro-serb, pro-Millosheviçit, por që tani mbështet Marrëveshjen e Ohrit, dhe ka përkrahur të drejtat e shqiptarëve. Ky koalicion, sipas analistit Joseph, ka funksionuar.

Zoti Joseph shtoi se me gjithë arritjet e padiskutueshme, siç janë zgjerimi i të drejtave politike të shqiptarëve dhe rritja e përfaqësimit të tyre në organet shteterore, reformat po zbatohen me ritem të ngadaltë. Ai nënvizoi faktin se decentralizimi i pushtetit, një nga aspektet më të rëndësishme të marrëveshjes së Ohrit, ende nuk është realizuar. Edhe përparimi në fushën e arsimit dhe në reformimin e forcave policore ka qenë i ngadalëshëm. Zoti Joseph tha se elementët kriminalë vazhdojnë të kërcënojnë sigurinë e vendit dhe mbetet shumë për të bërë, veçanërisht përsa i përket luftës kundër korrupsionit. Ai kritikoi veçanërisht sistemin gjyqësor të Maqedonisë, ku kanë mbetur pezull shumë procese gjyqësore që kanë të bëjnë me korrupsionin, apo tregëtinë e njerëzve.

Pyetjes se çfarë ndikimi do të kishte një Kosovë e pavarur në stabilitetin e Maqedonisë, zoti Joseph ju përgjigj se statusi i pacaktuar i Kosovës ndikon negativisht në qëndrueshmërinë e Maqedonisë.

Vetë kryeminsitri maqedonas, është shprehur se është në të mirën e Maqedonisë një Kosovë e pavarur ku të sundojë ligji, se sa një Kosovë nën Serbinë, dhe pa ligj, tha zoti Ed Joseph.// lk //

XS
SM
MD
LG