Lidhje

Trafiku i femrave vazhdon te jete nje problem serioz per Ballkanin - 2003-09-26


Zëri i Amerikës: Zoti Hand, siç e dini edhe ju, muajin tjetër pritet të fillojnë bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit për çështjet teknike. Por a ekziston rreziku që këto bisedime të zvarriten pafundësisht, duke ditur se palët qëllimin kryesor të tyre kanë përcaktimin e statusit, çfarëdo forme që të marrë ai?

Robert Hand: Po, mendoj se ekziston ky rrezik. Dhe deri më sot nuk kam parë ndonjë shprehje të lartë optimizmi për rezultate të shpejta prej tyre. Së pari, disa nga vetë çështjet mund të jenë të komplikuara, dhe kjo mund të çojë në vonesa për arritjen e rezultateve. Veç kësaj ende nuk dihet se sa do të jenë në gjendje Prishtina dhe Beogradi të shkojnë në bisedime duke lënë mënanë polemikat. Po ashtu edhe brenda vetë delegacioneve të secilës palë pritet të ketë qëndrime të ndryshme të ndikuara nga opinioni publik në vendet e tyre gjë që mund të çojë në ngadalësimin e bisedimeve veçanërisht në fillim. Pa dyshim që të gjithë këto përbëjnë shqetësime por të shpresojmë që do të ketë vullnet të mjaftueshëm politik për t’i kapërcyer këto pengesa. Dhe nga ana tjetër me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar mund të ecet drejt arritjes së rezultateve konkrete për këto çështje të rëndësishme.

Zëri i Amerikës: Cili mendoni ju do të jetë rezultati kryesor i këyre bisedimeve: a do të jetë zgjidhja e çështjeve praktike për të cilat palët do të bisedojnë, apo do të jetë më i rëndësishëm afrimi i palëve, krijimi i një lloj mirëbesimi mes të dyja palëve për bisdime më të vështira që do të pasojnë?

Robert Hand: Besoj se të dyja këto janë të rëndësishme. Bisedimet kanë si rëndësi simbolike ashtu edhe që palët të njihen me njëra-tjetrën për bisedime të tjera në të ardhmen. Do të jetë mirë si për Beogradin edhe Prishtinën të fillojnë të diskutojnë tani dhe të kuptojnë njeri tjetrin dhe ndoshta të arrijnë edhe marrëveshje për disa çështje. Megjithatë, siç e përmenda, çështjet që do të diskutohen janë të rëndësishme, për mendimin e Komisionit të Helsinkit, siç është çështja e personave që do të kthehen, apo e personave të zhdukur, këto janë çështje shumë të rëndësishme për Kosovën, për të gjitha grupet etnike atje. Ka shqiptarë, serbë, romë që figurojnë ende të zhdukur, ose të zhvendosur dhe shpresojmë që në bisedime të arrihet në rezultate konkrete që do të ndihmojnë në përmirësimin e jetës së njerëzve që vazhdojnë të vuajnë pasojat e atyre që kanë ndodhur në të kaluarën.

Zëri i Amerikës:Të kalojmë tek gjendja në Shqipëri. Në prag të zgjedhjeve vendore që do të zhvillohen më 12 tetor, sa përparim ka bërë Shqipëria drejt demokracisë dhe krijimit të një politike të qëndrueshme, një klime të qëndrueshme politike?

Robert Hand: Unë nuk kam qenë në Shqipëri që nga zgjedhjet e vitit 2001, pra nuk mund të flas me njohuri nga vetë terreni. Por duke folur me të tjerët dhe duke lexuar se çfarë ndodh në Shqipëri, më është krijuar përshtypja se gjerat po ecin përpara ndonëse ngadalë. Por ndoshta fakti që po ecim ngadalë është gjë e mirë, pasi përparimi mund të jetë më i qëndrueshëm. Më parë problemet me stabilitetin e vendit kishin të bënin edhe me faktin se vendi lëvizi shumë përpara por në këtë lëvizje njerëzit harruan dhe nuk e kuptuan se përparimi nuk ishte i qëndrueshëm, ai ishte shumë i breishtë dhe mund të shkatërrohej shumë shpejt. Mendoj se për Shqipërinë, përparimi i ngadaltë, por solid është rruga më e mirë. Dhe të shpresojmë që ky përparim do të vazhdojë edhe gjatë këtyre zgjedhjeve. Unë jam optimist për të ardhmen e Shqipërisë dhe uroj që partitë politike do të ndjekin rrugën e duhur dhe të qëndrojnë të angazhuar në jetën politike duke qënë sa më konkurentë në zgjedhje.

Zëri i Amerikës: Një nga çështjet kryesore së cilës komisioni juaj i kushton shumë vëmendje është trafikimi i qenieve njerëzore. Siç e dimë, Presidenti Bush në fjalimin e tij në OKB e përmendi këtë si një nga shqetësimet kryesore. Sa i thellë është ky problem sot në rajonin e Ballkanit, kryesisht në Shqipëri, ose edhe në Kosovë?

Robert Hand: Në radhë të parë dua të them se ne në Komisionin tonë, si zyrtarët e këtij komisioni ashtu edhe anëtarët si ligjvenësi Chris Smith që kanë qënë aktiv për këtë çështje, jemi shumë të gëzuar që presidenti Bush e ngriti këtë çështje në OKB dhe i dha rëndësinë që meriton ky problem. Në botën tonë nuk duhet të ketë vend për skllavërinë seksuale. Por për fat të keq ky vazhdon të jetë një problem madhor për Evropën Juglindore, përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe vende të tjera. Shqipëria paraqet shqetësim si duke qënë një vend tranzit, ashtu edhe vend burim. Komisioni ynë është përpjekur të tërheqë vëmendjen sa më shumë që të mundet për të luftuar trafikun duke ndërgjegjësuar opinionin publik në mënyrë që autorët e trafikimit të zhduken, që vajzat të mos rrëmbehen e shiten për skllave seksi, që të priten mundësitë e tranzitimit duke shtuar kontrollet në kufi, duke aktivizuar më shumë policinë dhe përfundimisht për të kapur vetë trafikantët. Nuk ka shumë vlerë të ndërhysh në një shtëpi publike, në se vajzat që shpëtohen thjesht çohen matanë kufirit dhe ndoshta ritrafikohen përsëri, ose në se ata që kryejnë trafikime shpëtojnë me dënime të lehta ose pa dënime fare. Ka ardhur koha për t’i kushtuar më shumë rëndësi procesit të ndjekjes së tyre penale. Pikërisht këto janë çështjet që thekson komisioni ynë, që të gjitha vendet në rajon duhet t’i kushtojnë vëmendje vitin e ardhshëm.//kk//

XS
SM
MD
LG