Lidhje

Presidenti Bush komenton për nxjerrjen e sekretit - 2003-10-01


Presidenti Bush tha se nëse vërtetohet që zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë kanë zbuluar emrin e një agjenteje të fshehtë të CIA-s, ndaj tyre do të merren masat përkatëse.

Presidenti Bush i bëri komentet për gazetarët dje, menjëherë pas njoftimeve se Departamenti i Drejtësisë kishte filluar hetime penale për të përcaktuar nëse dikush në Shtëpinë e Bardhë ka nxjerrë emrin e një agjenteje të fshehtë të CIA-s, që është gruaja e ish ambasadorit amerikan, Joseph Wilson.

Zoti Wilson ka bërë komente të bujshme kritike lidhur me shfrytëzimin që administrata u bëri informacioneve të zbulimit në prag të luftës në Irak.

Ai thotë se zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë ua zbuluan identitetin e gruas së tij gazetarëve me qëllim që ta diskreditonin ose të hakmerreshin kundër tij.

Presidenti Bush tha se e përshëndeste vendimin e Departamentit të Drejtësisë për të filluar hetimet por shtoi se ai nuk ishte në dijeni që ndonjë zyrtar i administratës të kishte nxjerrë informacione të fshehta. Presidenti tha se nëse dikush ka dijeni për nxjerrje sekreti brenda ose jashtë administratës, ai do të dëshironte që ky person të dalë dhe të tregojë atë që di.

Disa anëtarë demokratë të Kongresit kanë bërë thirrje për hetime të pavarura, jashtë Departamentit të Drejtësisë.

Senatori i Nju Jorkut, Chrles Schumer tha se është e nevojshme që të caktohet një hetues i pavarur në mënyrë që zyrtarët të cilët merren me zbatimin e ligjit ta bëjnë punën pa ndërhyrje nga jashtë.

Të hënën, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan hodhi poshtë thirrjet për një hetim të pavarur.

Në bazë të ligjit amerikan, zbulimi qëllimisht i identitetit të një agjenti të fshehtë është vepër kriminale, që dënohet me deri 10 vjet burgim.//ii

XS
SM
MD
LG