Lidhje

Parlamenti shtyn votimin për fillimin e dialogut Prishtinë - Beograd - 2003-10-02


Parlamenti i Kosovës shtyu sot votimin për marrjen e një qëndrimi të përbashkët për fillimin e dialogut midis Prishtinës e Beogradit më 14 tetor në Vjenë.

Kryetari i parlamentit Nexhat Daci, tha se ka nevojë për më shumë kohë për të harmonizuar qëndrimet në mënyrë që ta ruhet uniteti funksional dhe veprues i institucioneve të Kosovës. Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi tha se qeveria nuk është e gatshme të marrë pjesë në bisedime pa ndonjë vendim pro të parlamentit, përfshi koncensusin e trigrupeve parlamentare të subjekteve politike nënshkruese të marrëveshjes së 28 shkurtit 2002 për formimin e qeverisë së Kosovës.

Përfaqësuesit e tre grupeve kryesore parlamentare shqiptare, theksuan Kosovës po i kërkohet të hyjë në bisedime në kushte të pabarabarta me Serbinë, ndërkohë që nuk po bëhet bartja e kompetencave tek institucionet vendore me shpejtësinë e duhur, ndërkohë që pozicioni i UNMIK-ut në bisedime është i paqartë dhe modalitetet e bisedimeve janë po ashtu të paqarta.

Përfaqësuesi i grupit parlamentar serb Kthimi, Dragisha Kërstoviq, mbështeti fillimin e bisedimeve, duke thënë se ky është rast për të bërë kthesa të mëdha në ngjendjen e tanishme në Kosovë. Bashkimi Evropian mbështet fuqishëm dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Stephen Lehne, i dërguar i posacëm i komisionerit të lartë të BE-së për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Havier Solana, po bisedon sot në Prishtinë me zyrtarët më të lartë vendas në lidhje me dialogun, duke theksuar se dialogu me Beogradin, është pjesë e standarteve të cilat duhet të plotësojë Kosova.

Ndërkohë, sot u bë e ditur se katër shqiptarë janë vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur në 24 orët e fundit në Kosovë. Një shqiptar eshtë vrarë dhe tre të tjerë u plagosën mbrëmë pak para mesnate në fshatin Strellc të Decanit, ndërkohë që ende nuk ka informacion për motivet e këtij incidenti; ndërsa sot, tre shqiptarë të tjerë janë vrarë me armë zjarri në fshatin Gllamnik të Podujeves ndërkohë që është arrestuar një shqiptar tjetër, i dyshuar si autor i vrasjes së trefishtë.

XS
SM
MD
LG