Lidhje

Skandalet financiare në korporatat amerikane - 2003-10-02


Në New York po zhvillohen dy procese gjyqësore lidhur me akuzat për mashtrim në disa nga korporatat më të mëdha amerikane. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Barry Wood thotë se dy vjet pas parregullsive në dokumentat financiare që çuan në falimentimin e Enronit, kompania energjitike me qendër në Teksas, ka shënja se administrata e presidentit Bush do të mbajë një qëndrim të ashpër në procesin gjyqësor për këtë çështje.

Në Shtetet e Bashkuara ka filluar zgjedhja e jurisë për gjykimin e zotit Kennis Kozlowski, ish drejtuesi i kompanisë Tyco, dikur një konglomerat i suksesshëm. Zoti Kozlowski akuzohet të ketë vjedhur 600 milion dollarë të kësaj kompanie. Jay Fahy, ish prokuror feredal pret që gjykimi të zgjasë tre muaj. Ai përshkruan çfarë do të kërkojë nga juria, pala paditëse dhe ajo mbrojtëse. “Juria ideale do të ishte një juri e përbërë nga njerëz që i përkasin rangjeve të nivelit mesatar të menazhimit, njerëz që dinë diçka rreth korporatave dhe mund të kenë investuar në to. Juria ideale për palën mbrojtëse në rastin Kozlowski do të jetë një juri e përbërë nga njerëz që besojnë se ambicja e korporatave është e justifikuar, se ky është kapitalizmi, dhe nuk ka asgjë të keqe që një drejtues të përfitoj kaq shumë para”, thotë zoti Fahy.

Korporatat amerikane janë tronditur nga një numër mashtrimesh dhe vjedhjesh nga drejtuesit e tyre. Skandalet tërhoqën më shumë vëmendje me rënien e Enronit në vitin 2001 dhe përsëri në vitin 2002 kur WorldCom, kompania e dytë më e madhe amerikane e telekomunikacioneve falimentoi pas skandaleve të ngjashme me llogaritë financiare.

Bernie Markstein, konsulent ekonomik në Filadelfia thotë se skandalet tregojnë se bordet e drejtuesve nuk po bëjnë punën e tyre. Shumica e anëtarëve të bordeve bëjnë edhe punë të tjera, zakonisht si shefa ekzekutivë në kompani të tjera. Zoti Markstein thotë se anëtarët e bordit shpesh herë thjesht mbështesin këshillat e menaxherëve. “Ndoshta ata janë shumë të ngarkuar me punë të tjera dhe nuk kryejnë siç duhet rolin e tyre edhe pse paguhen mirë, thjesht për të qenë anëtarë të bordit. Njerëzit mendojnë se ata ulen dhe i shohin mirë vendimet e kompanive. Por mesa duket nuk e kanë bërë këtë”, thotë zoti Markstein.

Shumë investues në tregjet e aksioneve janë zhgënjyer nga falimentimi i kompanive si Tyco, Enron dhe WorldCom. Deri tani, me përjashtim të drejtuesit të Tycos, pak ekzetutivë të lartë janë nxjerrë para drejtësisë. William Donaldson, shefi i ri i sistemit regullator qeveritar, Komisioni i Sigurimeve dhe Shkëmbimeve, thotë se ai po studion me vëmendje atë që ndodhi tek Enroni.

Zoti Markstein beson se së shpejti do të ngrihen akuza edhe ndaj ish ekzekutivëve të tjerë dhe ai pret që ish drejtuesi i Enronit, Kenneth Lay të gjykohet së shpejti. “Në se autoritetet federale do të mund të provojnë se zoti Lay ka lejuar parregullsitë financiare, mendoj se ai do të dënohet me disa vjet burg. Njerëzit janë të zemëruar. Dhe politikisht do të ketë presion mbi gjykatësit që ti dënojnë ata me disa vjet burg”, thotë eksperti.

Kohët e fundit edhe tregu i respektuar i shkëmbimit të aksioneve, Bursa e Nju Jorkut, u përfshi nga skandali. Dy javë më parë, drejtuesi i tij Richard Grasso u detyrua të jepte dorëheqjen pasi u zbulua se rroga e tij dhe përfitimet e pensionit arrinin shifrën 180 milion dollarë. Megjithëse zoti Grasso nuk mendohet të ketë shkelur ndonjë ligj, investitorët u zemëruan që ai kishte pranuar një kompensim të tillë nga bordi drejtues, shumë nga të cilët ai i kishte emëruar vetë.

Gati 2800 kompani me një vlerë prej 15 trilion dollarësh janë të regjistruara në bursën 211 vjeçare të Nju Jorkut. Drejtuesi i ri i bursës John Reed ka premtuar reforma ambicioze.

//rd//

XS
SM
MD
LG