Lidhje

Drama e trafikut të grave - 2003-10-02


Me dëshmi prekëse nga përvoja personale, një eksperte e Fondit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara për gratë, përshkroi dramën e trafikut të grave në shumë zona të botës. Ish-zyrtarja e lartë finlandeze, dhe ish-nën sekretare e përgjitshme e Kombeve të Bashkuara komentoi dje mbi gjendjen e gruas dhe mbi shfrytëzimin që i bëhet asaj, përmes dhunës dhe trafikimit. Kolegia Keida Kostreci ndoqi dje (1 tetor) një takim të saj me shtypin në Washington.

Ish-ministrja e mbrojtjes e Finlandës tha se komuniteti ndërkombëtar ka një pjesë të madhe të përgjegjësisë për trafikimin e grave në shumë zona të botës, përfshirë Ballkanin. Ajo tha në një inetrvistë për Zërin e Amerikës, para takimit se trafiku nuk është problem vetëm i qeverive, por i të gjithëve, që nga komuniteti ndërkombëtar, shoqatat joqeveritare, paqeruajtësit. “Sepse nëse nuk ka klientë, nuk ka as trafik. Kështuqë është shumë e rëndësishme që të ketë rregulla të qarta dhe të paktën ndërkombëtarët nuk duhet t’i përdorin këto vajza. Por trafiku në vetvete i ka rrënjët tek varfëria, në shumë nga vendet burim të trafikut të grave”, tha zonja Rehn.

Zonja Rehn, e cila ka drejtuar njçë tryezat e Paktit të Stabilitetit, atë për demokratizimin dhe të drejtat e njeriut, foli me alarm për kombinimin e trafikut të grave dhe vajzave me segmentet e tjerat të krimit të organizuar. Ja ç’tha ajo e pyetur për Shqipërinë dhe Ballkanin: “Më e rëndësishme është të ndryshohet qëndrimi i njerëzve. Ata duhet të kuptojnë që nuk bëhet fjalë vetëm për krimin e trafikut, por në pjesën më të madhe është gjithashtu kombinimi i krimeve të tilla, si trafiku i drogës, i armëve, pastrimi i parave. Të gjitha këto dukuri dhe krimi i organizuar si një i tërë duhet të goditet me forcë”.

Duke folur për mënyrën sesi në Shqipëri, Kosovë dhe vende të tjera të Ballkani, vajzat e trafikuara nuk shihen si viktima, por si fajtore, zonja Rehn flet për vështirësitë që kanë të bëjnë me kulturën e këtyre vendeve: “Ata që po i përdorin këto gra, duhet të ndëshkohen dhe jo vajzat vetë. Organizatat ndërkombëtare po marrin masa që t’i kthejnë këto vajza në shtëpi, por ato nuk mund të kthehen, sepse kanë frikë nga hakmarrja”, thotë ajo.

Ekspertja e Kombeve të Bashkuara thotë se mjeti më i tmerrshëm që përdoret në luftra civile kudo në botë është dhuna ndaj gruas, përfshirë përdhunimin dhe poshtërimin e saj. Zonja Rehn mendon se shfrytëzimi i grave, sidomos trafikimi është i lidhur me të gjitha rrethanat shoqërore dhe ekonomike të një vendi. //rd//

XS
SM
MD
LG