Lidhje

Powell kërkon sygjerime specifike për riformulimin e projektrezolutës mbi Irakun - 2003-10-03


Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell tha se dëshiron të dëgjojë sugjerime specifike nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKBsë lidhur me mënyrat për të përmirësuar një rezolutë të re të propozuar nga Shtetet e Bashkuara për Irakun.

Franca, Rusia dhe disa vende të tjera anëtare kanë kritikuar projekt-rezolutën amerikane për mostransferimin e shpejtë të pushtetit tek një qeveri e re irakiane. Ata thonë gjithashtu se kërkojnë një rol më të madh të Kombeve të Bashkuara në rindërtimin e Irakut.

Sekretari Powell tha se ka biseduar me ministrin e jashtëm francez Dominique de Villepin dhe disa ministra të tjerë të jashtëm për të rrahur idetë për përmirësimin e projektrezolutës dhe sigurimin e një mbështetje maksimale për të.

Por ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk do të pranojnë ta kalojnë pushtetin para kohe. Ai tha se Shtetet e Bashkuara do tja kalojnë pushtetin në Irak një qeverie që do të jetë në gjendje të mbajë përgjegjësitë dhe jo vetëm për arsyen se sipas fjalëve të tij “mezi presim të heqim barrën nga vetja jonë”.

Sekretari Powell tha gjithashtu se ka diskutuar rreth projektrezolutës edhe me sekretarin e përgjithshëm të OKBsë, Kofi Annan. Zoti Annan kritikoi dje propozimin duke thënë se nuk pasqyron rekomandimet e tij që forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara tia kalojnë pushtetin një qeverie të përkohëshme irakiane para se Iraku të hartojë një kushtetutë të re dhe të mbajë zgjedhjet.

Shtetet e Bashkuara kërkojnë një rezolutë të re që do të shtonte më shumë trupa dhe fonde nga vende të tjera për të ndihmuar në rindërtimin e Irakut. Zyrtarët e administratës amerikane shpresojnë të sigurojnë miratimin e rezolutës para konferencës ndërkombëtare të vende donatore, që do të zhvillohet në fund të këtij muaji në Madrid.

//rd//

XS
SM
MD
LG