Lidhje

Zgjedhjet Vendore në Shqipëri; Debat Elektoral: Shkodra - 2003-10-03


Shkodra përballet me probleme të shumta që kanë të bëjnë kryesisht me mungesat e energjisë elektrike, të ujit të pijshëm dhe të vendeve të punës. Zëri i Amerikës ftoi për një debat telefonik kandidatët për kryetarë bashkie të Shodrës, atë të Partisë Demokratike, Artan Haxhi, zëvendës rektor i Universitetit Luigj Gurakuqi dhe kandidatin e Partisë Socialiste, Gjergj Liqejza, prefekt i Qarkut të Shkodrës.

Zëri i Amerikës: Fillimisht, le të njihemi me platformat tuaja zgjedhore. Zoti Haxhi, cilat do të ishin përparësitë tuaja për Shkodrën?

Artan Haxhi: Përparësitë e programit tim për Shkodrën do të fillojnë me përmirësimin e infrastrukturës publike dhe të shërbimeve që lidhen me të. Shkodra është e dënuara e madhe e qeverisë përsa i takon furnizimit me energji elektrike. Ky është një nga problemet e mprehta që kërkon zgjidhje imediate pavarësisht se nuk është kompetencë direkte e bashkisë. Ne do të bashkëpunojnë ngushtësisht me ndërmarrjen elektrike dhe me qeverinë me qëllim furnizimin pa ndërprerje me energji të popullatës. Problemi i furnizimit me ujë të pijshëm është edhe ky problem jetik për qytetin tonë. Shkodra është e rrethuar nga uji, ka të gjitha mundësitë ta zgjidh këtë problem prandaj ne do të mbështesim dhe përkrahim marrëdhëniet me donatorët e huaj dhe me ndërmarrjen e ujësjellësit duke ndjekur politika efektive. Po ashtu gjendja aktuale e rrugëve, ka nevojë për një ndërhyrje të shpejtë duke u përqëndruar kryesisht në ndërtimin e unazës së qytetit dhe riparimin e akseve kryesore si dhe rrugëve dytësore. Po ashtu shërbimi ndaj ambjenteve të gjelbëruara do të njohe një rritje tepër cilësore. Strehimi, është problem i mprehtë dhe shqetësues për qytetarët. Zhvillimi ekonomik vendor është drejtimi i dytë kryesor duke siguruar bashkëpunimin maksimal me komunitetin e biznesit, duke e konsideruar atë si promotor të zhvillimit do të mundohemi të zbusim sadopak problemin e papunësisë e cila është rekord në Shqipëri. Po ashtu zhvillimi social; ne do të synojmë në rritjen dhe zhvillimin e mëtejshme të traditës kulturore dhe artistike të Shkodrës duke e realizuar përmes stimulimit të krijimtarisë dhe të veprimtarisë së njerëzve të kulturës dhe të artit, ruajtjes dhe mbrojtjes së vlerave kulturore të qytetit, përmirësimit të kushteve në qendrën kulturore, galerinë e arteve etj., Ndërkohë vëmendje do t'i kushtojmë arsimit dhe shëndetësisë, shtresave me probleme shoqërore si dhe shtresës së te përndjekurve politikë.

Zëri i Amerikës: Dhe cila është platforma juaj zoti Liqejza?

Gjergj Liqejza: Platforma jonë si bashki për tre vitet e ardhshme është krijimi i një bashkie ndryshe ku qytetari gjen zgjidhje për problemet e veta dhe vendos njëkohësisht për problemin e komunitetit. Do të bëjmë përpjekje të vazhdueshme për zgjidhjen e problemit të energjisë elektrike megjithëse ky është një problem mjaft kompleks, ne do të garantojmë një bashkëpunim me strukturat e KESHit për të siguruar një ndërhyrje në rrjetin e shpërndarjes si dhe rikonstruksionin e kabinave dhe të rrjetit të shpërndarjes si dhe vendosjen e kontatorëve duke siguruar rolin e garantit në marrëdhëniet kontraktuale ndërmjet KESHit dhe konsumatorëve private apo popullatës. Do të bëjmë përpjekjet maksimale për sigurimin brenda mandatit trevjeçar të furnizimit të qytetit me ujë të pijshëm për 24 orë rrjesht. Do të marrim masa për stimulimin e zhvillimit të biznesit sidomos atij të vogël e të mesëm duke eliminuar procedurat burokratike të liçensimit si dhe lehtësimet fiskale duke rritur bazën e tatimpaguesve, stimulimin e biznesit prodhues, krijimin e sipërmarrjeve të reja të vetë bashkisë dhe menaxhimit krejt ndryshe të atyre ekzistuese, çka do të çojë në rritjen e numrit të të punësuarve dhe në uljen e nivelit të varfërisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Haxhi, gjatë tre viteve të shkuara Shkodra është drejtuar nga një kryetar bashkie që i përket Partisë Demokratike, bile ky është mandati i dytë i PD-së. A mendoni se janë përmbushur premtimet elektorale dhe çfarë do të ofronit ju ndryshe nga paraardhësi juaj nëse zgjidheni?

Artan Haxhi: Në kushtet në të cilat ka punuar paraardhësi im, po e quaj kështu, zoti Rusi, mund të themi që bashkia e Shkodrës ka pasur arritje pozitive gjatë mandatit të tij trevjeçar, rezultate të cilat janë vërtetuar edhe nga punët që ka realizuar në Shkodër. Përsa i takon problemit të korrupsionit mund të përmend një fakt se gjatë mandatit trevjeçar në bashkinë e Shkodrës janë ushtruar disa kontrolle ekonomiko-financiare duke filluar që nga prefektura, nga Ministria e Financave, Ministria e Pushtetit Lokal, Kontrolli i Lartë i Shtetit, të cilat kanë konkluduar se bashkia e Shkodrës është ndër më korrektet në administrimin e fondeve publike. Por çfarë nuk ka ecur në bashkinë e Shkodrës? Shkodra, ashtu siç e theksova, është e dënuara e madhe e qeverisë, sepse nuk përshtatet me politikat e kësaj qeverie dhe për këtë arsye Shkodrës i kanë munguar vazhdimisht investimet, i ka munguar vazhdimisht mbështetja nga ana e qeverisë, prandaj edhe ato që ka arritur bashkia aktuale janë një hap përpara, një hap pozitiv në të mirë të Shkodrës, në të mirë të qytetarëve të saj.

Zëri i Amerikës: Zoti Liqejza, disa nga problemet më të mprehta për Shkodrën janë mungesat e energjisë elektrike dhe papunësia. A janë të zgjidhshme këto probleme dhe si mendoni të veproni ju?

Gjergj Liqejza: Po siç e thatë edhe ju problemet kryesore janë ai i energjisë elektrike dhe problemi i punësimit dhe ai i infrastrukturës. Për zgjidhjen e problemit të energjisë elektrike ne garantojmë përpjekje maksimale për të siguruar bashkëpunimin ndërmjet komunitetit dhe strukturave të KESHit, bashkëpunim i cili ka çaluar deri tani. Ndërsa për problemin e uljes së papunësisë, ne duke patur parasysh rolin e administratës, rolin e bashkisë, do të krijojmë një ambjent stimulues për biznesin vendas apo edhe të huaj duke përdorur edhe elementë të diferencimit fiskal sidomos për biznesin prodhues çfarë do të çojë në krijimin e vendeve të reja, gjithashtu duke menaxhuar mirë edhe bizneset e vetë bashkisë gjatë kryerjes së shërbimeve të cilat janë detyrë funksionale e bashkisë. Gjithashtu përsa i përket infrastrukturës ne jemi të ndërgjegjshëm për gjendjen katastrofike dhe garantojmë në ndërhyrje për kthimin në gjendjen normale të tij dhe për këtë ne kemi programe të gatshme dhe mbështetjen financiare nga ana e pushtetit qëndror duke evituar hendekun e krijuar midis pushtetit vendor dhe atij qëndror.

Zëri i Amerikës: Zoti Haxhi, në Shqipëri, korrupsioni është mjaft i shtrirë edhe në strukturat e pushtetit vendor. Sa transparente është administrata e qytetit dhe si mund të bëhet sa më transparente në mënyrë që njerëzit ta dinë se ku shkojnë parate e taksapaguesve dhe fondet e tjera?

Artan Haxhi: Desha të ndalesha në transparencën që do ti siguroj unë dhe administrata ime popullit të Shkodrës. Përsa i takon transparencës në raport me publikun, në programin tim është përfshirë, së pari hapja e një zyre informacioni dhe komunikimi me publikun. Së dyti është parashikuar botimi i një gazete informative periodike në të cilën do të pasqyrohet aktiviteti i bashkisë dhe i këshillit të saj. Së treti, ne do të hapim një faqe në Internet ku të botohen të gjitha këto të dhëna të aktivitetit të bashkisë, buxhetit, të gjitha problemet që kanë të bëjnë me transparencën. Dhe do ti nënshtrohemi të gjitha pikave të ligjit përsa i përket paraqitjes së transparencës si transmetimi direkt me televizion të të gjitha mbledhjeve të këshillit bashkiak, intervistave për të dhënë shpjegime përpara publikut.

Zëri i Amerikës: Zoti Liqejza, cili është mesazhi juaj për zgjedhjet?

Gjergj Liqejza: I drejtohem qytetarëve të Shkodrës të vlerësojnë votën e tyre në mënyrë që kultura dhe vlerat e këtij qyteti të predominojnë mbi politikën dhe ta detyrojnë atë të ndryshojë. Ne jemi të aftë ta realizojmë këtë ndryshim, ne kemi besim se do ta realizojmë këtë ndryshim.

Zëri i Amerikës: Zoti Haxhi, cili do të ishte mesazhi juaj për banorët e Shkodrës?

Artan Haxhi: Unë do ti ftoj zgjedhësit, ejani me ne, për një Shkodër moderne, metropol të veriut, për një Shkodër të arsimit, të kulturës e të sportit, për një Shkodër më të zhvilluar ekonomikisht, më të pastër, më të gjelbër, më të sistemuar, më të ndriçuar, më të qetë, ku secili të ketë dinjitetin e qytetarit. Ejani me ne ti rikthejmë rinisë shpresën për të ardhmen.

//rd//

XS
SM
MD
LG