Lidhje

Arnold Shvarceneger mund të bëhet guvernatori i Kalifornisë - 2003-10-04


Disa anketa të opinionit lenë të kuptohet se shumica e votuesve kalifornezë janë gati ta heqin guvernatorin e tanishëm, Gray Davis, dhe ta zëvendësojnë atë me kandidatin republikan Shvarceneger.

Grumbulli i njerëzve është mbledhur në Arcadia në veri të Los Angeles dhe pret për dy orë. Megjithatë pritja e gjatë nuk e ka shuar entuziazmin për kandidatin, që ata e quajnë Terminator.

Duke e llogaritur kohën saktë, aktori Shvarceneger, tani kandidat për guvernator, mbërrin dhe shfaqja fillon.

“Më thanë se këtu do të gjeja disa qindra njerëz. Unë shikoj mijëra. Faleminderit që erdhët.”

Para pak muajsh shumica e njerëzve do ta kishin të vështirë ta besonin që artisti i Hollivudit, Arnold Shvarceneger, ishte gati të bëhej guvernatori i ardhshëm i Kalifornisë.

Por personi i njohur më shumë për rolet e tij në filma se sa për qëndrimet e tij në politikë provoi se ishte i shpejtë për të shfrytëzuar zemërimin e votuesve lidhur me taksat e larta dhe mendimin se grupet me interesa të veçanta kanë shumë pushtet në Kaliforni.

“Njerëzit janë ngopur me politikë. Ata mendojnë se politika financohet nga para të korruptuara. Ne duhet t’u kthejmë njerëzve besimin tek qeveria. Ne duhet të sigurohemi që kalifornezët i besojnë përsëri qeverisë. Dhe pikërisht këtë dua të bëj kur të zgjidhem guvernatori i Kalifornisë.”

Michael është mes mijëra kalifornezëve, që shkuan në punë vonë në mënyrë që të dëgjonin nga afër Arnold Shvarceneger. Ai kishte mbetur i kënaqur.

“Atij i duhet të bëjë një punë të madhe në kryeqytetin e Kalifornisë. Duhet t’i jepet fund korrupsionit, financat janë jashtë kontrollit dhe dikush duhet të zgjidhet për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje dhe Arnold është personi i duhur.”

Por gjatë ditëve të fundit të fushatës, zotit Shvarceneger i është dashur të mbrohet nga akuza të ndryshme, si për shembull, se ka bërë komente në favor të Hitlerit dhe ka ngacmuar disa gra, akuza këto që datojnë nga vitet 70-të deri para 3 vjetësh.

Gail Escobar është tani 41 vjeç. Ajo thotë se kur ishte 16 vjeç Arnold dhe disa anëtarë të tjerë të ekipit sportiv e kishin kërcënuar atë ta përdhunonin.

“Unë do të thosha se Arnold duhet të shkojë në burg dhe jo në një post publik. Unë do ta kisha për turp që një njeri si Arnold të përfaqësonte shtetin tim.”

Zyrtarët e fushatës së zotit Shvarceneger nuk kanë reaguar ndaj komenteve të zonjës Escobar. Grupet e grave në Kaliforni kanë reaguar me zemërim ndaj këtyre akuzave dhe kanë kërkuar një proces hetimor.

Guvernatori i Kalifornisë Gray Davis thotë se komentet rreth Hitlerit dhe sjelljet e tij të papërshtatshme seksuale vënë në pikpyetje karakterin e Arnold Shvarceneger dhe tani varet nga votuesit të vendosin në se ai është i përshtatshëm për postin e guvernatorit.

Por kur takohet me përkrahësit e tij, Arnold vepron me shpejtësi për ta përqëndruar vemendjen përsëri tek largimi i guvernatorit Davis.

Zgjedhjet në Kaliforni mbahen të martën. Në pjesën e parë të fletë votimit, votuesit do t’i përgjigjen pyetjes në se duan largimin nga posti të guvernatorit të tanishëm Gray Davis. Në se një shumicë e thjeshtë voton PO, ai do të lartgohet nga pushteti.

Në pjesën e dytë të fletë votimit, votuesit do të zgjedhin mes 135 kandidatëve. Por anketat më të fundit të opinionit publik tregojnë se zoti Shvarceneger gëzon një mbështetje dukshëm më të madhe se sa zëvëndës-guverantori i Kalifornisë, demokrati Krus Bustemanti.

//ze//

XS
SM
MD
LG