Lidhje

Konfrontimi i Sadam Huseinit ishte pjesë e qenësishme e luftës kundër terrorizmit - 2003-10-07


Konfrontimi i Sadam Huseinit ishte pjesë e qenësishme e luftës kundër terrorizmit. Regjimi i Sadam Huseinit ka përdorur armë kimike kundër Iranit si dhe kundër kurdëve të Irakut. Regjimi i Sadam Huseinit kishte lidhje me terroristë. Tani që ky regjim ka marrë fund, populli i Irakut mund të rindërtojë vendin e tij.

Siguria nuk është vendosur ende plotësisht. Terroristët kanë sulmuar forca të koalicionit, personelin e Kombeve të Bashkuara si dhe irakianë. Disa nga sulmet po kryhen nga mbeturinat e regjimit të Sadam Huseinit. Paul Bremer, administratori i autoritetit të përkohshëm të koalicionit, thotë se sulmet po drejtohen nga terroristë jashtë vendit, të cilët kanë penetruar në Irak.

“Terroristët ndahen në dy kategori. Njëra është Ansar al-Islam, grup me fizionominë e al-Qaidës dhe që ka lidhje me të, i cili është ripërtërirë dhe ka ripenetruar pas luftës e që, tani, ka ndoshta disa qindra anëtarë në Irak. Ky është një grup tepër i rrezikshëm terrorist dhe përbën një kontigjent të madh terroristësh. Së dyti, janë terroristët e huaj, të cilët po penetrojnë kryesisht përmes kufirit me Sirinë.”

Zoti Bremer thotë se 19 terroristë të al-Qaidës janë ndërmjet 248 të huajsh të kapur pasi kanë penetruar në Irak. 123 prej këtyre terroristëve të huaj janë sirianë. Të tjerët janë nga Irani dhe Jemeni.

Vetë irakianët po fillojnë të marrin përgjegjësitë për sigurimin e vendit të tyre. Policia irakiane, rojet e kufirit dhe personeli i mbrojtjes civile po punojnë përkrah forcave të koalicionit. Një ushtri e re irakiane po stërvitet. Biografia e rekrutëve në batalionin e parë është shqyrtuar me kujdes për të shmangur përfshirjen e anëtarëve të lartë të Partisë Baath apo të atyre që dyshohet se kanë marrë pjesë në krimet e regjimit të Sadam Huseinit. Rekrutët pasqyrojnë gjithashtu larminë fetare dhe etnike. 60 për qind janë shiitë, 25 për qind suni, 10 për qind kurdë të Irakut dhe 5 për qind vijnë nga grupe të tjera.

Terroristët duan që koalicioni të largohet para krijimit të një Iraku demokratik. Por, thotë Presidenti Bush, ”ata e kanë gabim. Iraku përbën tani frontin kryesor në luftën kundër terrorit. Shtetet e Bashkuara do ta përfundojnë misionin e nisur dhe do ta fitojnë këtë betejë të rëndësishme”.

//ze//

XS
SM
MD
LG