Lidhje

Kosovë: Ndërpritet procesi i privatizmit - 2003-10-08


Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, tha sot se ndërprerja e procesit të privatizimit në Kosovë është bërë me kërkesën e Serbisë, por hodhi poshtë mundësinë që kjo të jetë shantazh për ta bërë palën e Kosovës që të shkojë në bisedimet me Beogradin më 14 tetor në Vjenë. "Serbia ka mundur të përgatisë gjithçka për të akuzuar Agjensinë Kosovare të Mirëbesimit në mënyrë që të ndërpritet procesi i privatizimit, tha zoti Rexhepi, duke shtuar se Serbia është e interesuar ta ndalë këtë process. Qeveia e Kosovës nuk pranon që procesi i privatizimit të ndalet as një gjysëm dite sepse ky është një mesazh shumë i keq për investuesit e mundshëm në privatizim", theksoi kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Monique De Groot, i tha sot Zërit të Amerikës, se faza e tretë e tenderëve të privatizimit, është anuluar, sepse administrata ndërkombëtare në Kosovë po bën disa qartësime ligjore, që janë në vazhdim e sipër. Procesi i privatizimit do të fillojë sapo të qartësohen këto çështje ligjore, tha ajo. Zonja De Groot, hodhi poshtë mundësinë që procesi i privatizimit të jetë ndërprerë me kërkesë të Serbisë.

"Kjo është një çështje që nuk ka të bëjë fare me këtë. Qartësimet ligjore për të cilat kemi nevojë kanë të bëjnë me imunitetin e atyre personave që merren me këtë process, por nuk lidhet me ndonjë pretendim që bëhet. Prandaj kemi krijuar një zyrë të vecantë në gjykatën supreme", tha zëdhënësja e BE-së, Monique De Groot.

Por kryeministri Bajram Rexhepi, theksoi sot se edhe bartja e pushtetit nga administrata ndërkombëtare në atë vendore, është ndaluar, me kërkesën e Serbisë, përmes kanaleve të ndryshme. Procesi I kalimit të kompetencave është I bllokuar, tha zoti Rexhepi, duke shtuar se ka pretendime që në operacionalizimin e standarteve të marrin pjesë edhe përfaqësues nga Serbia dhe të jenë pjesë e atij grupi I cili do të vendosë nëse janë plotësuar standartet.

Kryeministri konfirmoi ndërkohë se ka marrë ftesë nga kryeadministratori Harri Hollkeri, për të marrë pjesë në bisedimet e Vjenës, me Beogradin, por nënvizoi se qëndrimi I qeverisë së tij mbetet që parlamenti duhet të marrë vendim politik me consensus për të marrë pjesë apo jo në bisedime.

Gjendja në Kosovë po karakterizohet tani nga dy probleme të ndërlidhura me njëra-tjetrën, marrja e një vendimi përfundimtar nga institucionet e Kosovës për të marrë pjesë apo jo në bisedimet e Vjenës me Beogradin dhe kriza e brendshme midis administratës ndërkombëtare dhe autoriteteve vendore, në lidhje me kërkesën për kalimin e pushtetit nga autoritetet ndërkombëtare në ato vendore.

Kryeministri Bajram Rexhepi tha sot se kjo krizë del vetëvetiu ndërkohë që kërkohet të bëhet bartja e kompetencave ndërkohë që kryeadministratori Harri Hollkeri, ka thënë se kjo nuk mund të bëhet brenda natës. Qeveria po punon në një projektligj për krijimin e ministrive të reja të saj ndërkohë që një grup punues nga zyra e kryeministrit, parlamentit dhe ekspertë pritet të fillojnë nismën për ndryshimin e disa neneve të kornizës kushtetuese. //ss//

_________________________________________________________________

XS
SM
MD
LG