Lidhje

Moska kërcënon të ndryshojë strategjinë e saj bërthamore - 2003-10-09


Pritet që gjatë takimit të tyre në shtetin amerikan të Kolorados, ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të Natos t’i kërkojnë sot homologut të tij rus të shpjegojë kërcënimin e fundit se Moska do të ndryshojë strategjinë e saj bërthamore.

Pritet që sonte, ditën e dytë dhe të fundit të takimit, ministrat e jashtëm të aleancës të diskutojnë me ministrin e jashtëm rus, Sergei Ivanov, rreth një deklarate të bërë kohët e fundit nga Ministria ruse e Mbrojtjes.

Në deklaratë thuhet se Rusia mund të bëjë ndryshime rrënjësore në planifikimin ushtarak, përfshirë strategjinë bërthamore, nëse Natoja vazhdon të mbajë qendrimin, të cilin Rusia e shikon si doktrinë ofensive ushtarake.

Sekretari i përgjithshëm i Natos, George Robertson, tha se parashikon që ministri i jashtëm rus të japë më shumë hollësi rreth asaj që ai e cilësoi si deklaratë fragmentare.

Vendet anëtare të Natos kërkojnë të përmirësojnë marrëdhëniet me Moskën si pjesë e përpjekjeve për të përgatitur aleancën të luftojë kundër terrorizmit dhe përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë.

Këto kërcënime u theksuan gjatë ditës së parë të konferencës së Natos, kur ministrat morën pjesë në një manovër për parandalimin dhe zgjidhjen e krizave dhe në një provë me forcën e ndërhyrjes së shpejtë të aleancës. Pritet që kjo forcë të jetë plotësisht e gatshme brenda vitit 2006.

//rd//

XS
SM
MD
LG