Lidhje

Presidenti Bush: Iraku po përparon drejt vetëqeverisjes - 2003-10-11


Presidenti Bush thotë se Iraku po bën përparim në përpjekjet e tij drejt vetëqeverisjes. Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, presidenti tha se Iraku është tani një vend, ku tregjet dhe dyqanet janë plot, nafta po vërshon dhe mijëra biznese kanë filluar të hapen.

Zoti Bush citoi daljen në qarkullim të monedhës së re irakiane si një shenjë tjetër premtuese të ekonomisë së Irakut. Dinari i ri irakian nuk do të ketë më fotografinë e Sadam Huseinit.

Presidenti i bëri gjithashtu thirrje kongresit që të miratojë kërkesën e tij prej 87 miliardë dollarësh për operacionet ushtarake dhe rindërtimin e Irakut e të Afganistanit.

Kongresi mund të votojë mbi këtë projekt-ligj që javën e ardhshme, por demokratët po kërkojnë më shumë hollësi se si do të shpenzohen këto fonde. Presidenti e perqëndroi fjalimin në radio në aspektet pozitive në Irak, ndërkohë që shtohen shqetësimet rreth sulmeve gati të përditshme kundër trupave amerikane.

Ndërkohë që anketat e opinionit tregojnë se shumica e amerikanëve po vënë tani në pikëpyetje vlefshmërinë e ndërhyrjes ushtarake në Irak, administrata e presidentit Bush ka ndërmarrë një fushatë mbrojtëse në marrëdhëniet publike për të shtuar mbështetjen popullore për operacionet ushtarake dhe kërkesën e presidentit prej 87 miliardë dollarësh për të paguar për to. Zoti Bush tha se kjo shumë do ta bëjë Amerikën më të sigurtë.

“Amerikanët po e japin këtë ndihmë jo vetëm sepse zemrat tona janë të mira, por sepse edhe vizioni ynë është i qartë. Një Irak i qëndrueshëm, demokratik dhe i begatë nuk do të jetë më një vatër për terrorin, tiraninë dhe agresionin.”

Presidenti tha se dalja në qarkullim e monedhës së re javën e ardhshme do të ndihmojë në stabilizimin e ekonomisë irakiane.

Demokatët në Kongresin amerikan thonë se paftësia e presidentit për të buindur më shumë vende të tjera që të ndihmojnë në ndarjen e kostos së operacioneve ushtarake dhe rindërtimit të Irakut po krijon një barrë të madhe për taksapaguesit amerikanë.//kk//

XS
SM
MD
LG