Lidhje

Fitorja e Shvarcenegerit, mund të ketë ndikim përtej kufijve të Kalifornisë - 2003-10-11


Fitorja e Arnold Schwarzeneggerit në zgjedhjet e Kalifornisë mund të ketë një ndikim të gjerë politik edhe përtej kufijve të shtetit të artë. Gara elektorale e Kalifornisë mund të ndikojnë në politikën mbarë amerikane.

Arnold Schwarzenegger e pushtoi Kaliforninë si një stuhi. Intervistat me ata që sapo dilnin nga qendrat e votimit, tregonin se votuesit ishin të pakënaqur nga gjendja e krijuar, dhe se e mbështetën aktorin e njohur Arnold Schwarzenegger edhe për faktin se ai ishte një njeri që kishte qendruar jashtë politikës.

“Unë nuk do t’ju zhgënjej, dhe nuk do të braktis aspiratat tuaja, ishin deklaratat e para të Shvarcenegerit pas zgjedhjeve”, tha ai.

Disa analistë politikë thonë tani se fitorja e Schwarzeneggerit është një paralajmërim i një lloji të veçantë për të gjithë politikanët në Amerikë. Ja ç’thotë Thomas Mann, ekspert në Institutin Brookings të Washingtonit.

“Nga këndvështrimi i politikës në shkallë kombëtare, unë e shikoj zgjedhjen e tij si pakënaqësi të publikut ndaj titullarit, dhe postit që ai përfaqëson, si pakënaqësi ndaj kushteve ekonomike në vend”, thotë zoti Mann.

Analisti parashikon se demokratët mund të provojnë taktika të ngjashme kundër republikanëve për poste të tilla në Amerikë.

“Demokratët do të joshen që ta përdorin të njëjtën armë në shtete të tjera, për të siguruar fitore të ngjashme ndaj republikanëve dhe për ti mbajtur ata përgjegjës për dështimet”, thotë zoti Mann.

Por Kaliftonia është vetëm një nga 18 shtetet ku lejohet zhvillimi i zgjedhjeve për shkarkimin e titullarëve, ku votuesit mund të largojnë zyrtarët përmes zgjedhjeve speciale.

Larry Sabato, studiues i shkencave politike në Universitetin e Virxhinias, thotë se kjo e kufizon ndikimin e zgjedhjeve si ajo e Kalifornisë në pjesën tjetër të vendit.

“Nëse ekonomia vazhdon të keqësohet dhe situata në Irak tendoset, ne mund të shohim se disa zyrtarë do të humbasin postet ndërkohë që populli shpreh pakënaqësinë ndaj gjendjes. Megjithatë, do të ishte vështirë të parashikosh se sa efekt do të kenë zgjedhjet speciale të Kalifornisë, në mbarë vendin”.

Larry Sabato thotë se guvernatori i Kalifornisë, Gray Davis, u hoq nga posti sepse humbi lidhjet me votuesit. Dhe profesor Sabato parashikon se drejtuesit politikë do të shpenzojnë më shumë kohë për tu afruar me votuesit që të ruajnë përkrahjen e tyre “Mendoj se politikanët do të zhvillojnë më shumë takime me popullin, për të siguruar lidhje direkte me votuesit dhe për të dëgjuar me vemendje më të madhe shqetsimet e tyre”, thotë Sabato.

Kalifornia i përkrahu fuqishëm kandidaturat e Bill Klintonit dhe Al Gorit në zgjedhjet për postin e presidentit. Por eksperti i politikës, David Gergen, i cili ka qenë këshilltar politik për katër presidentë të ndryshëm, thotë se fakti që Arnold Schwarzeneggeri u zgjodh guvernator i Kalifornisë, mund të ndihmojë në rikandidimin e presidentit Bush vitin që vjen.

“Kalifornia tani do të jetë pjesë e lojës ndërkohë që më parë nuk dukej se ishte. Dhe kjo do të thotë përshembull se, demoikratët do të duhet të shpenzojnë para për të mbrojtur Kaliforninë. Ata përsëri do të kenë avantazhe ose duhet të kenë, por kjo e bën të vështirë për demokratët të konkurojnë në shkallë kombëtare”.

Votimet për shkarkimin e guvernatorit në Kaliforni hynë në histori. Gray Davis u bë guvernatori i dytë që shkarkohet nga posti përmes votës popullore. Guvernatori i Dakotës së Veriut, Lynn Frazier, ishte i pari në vitin 1921. //kk//

XS
SM
MD
LG