Lidhje

Konferenca islamike mblidhet në Malajzi - 2003-10-11


Vendet islamike të botës hapën takimin më të madh të nivelit të lartë të organizatës së tyre që prej tre vjetësh, duke kërkuar largimin e të gjitha forcave të huaja nga Iraku.

Abdelouahed Belkeziz, sekretar i përgjithshëm i Organizatës Konferenca Islamike me 57 vende anëtare tha në takimin e së shtunës në Malajzi se forcat pushtuese duhet të tërhiqen shpejt nga Iraku për t’u dhënë Kombeve të Bashkuara një shans për të rindërtuar vendin.

Vetëm Turqia i doli në mbrojtje planeve për të dislokuar trupat e saj përkrah aleancës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Kryetari i delegacionit të zyrtarëve të lartë turq tha se megjithëse Ankaraja do të kishte parapëlqyer një mandat të Kombeve të Bashkuara për vendosjen e rendit në Irak, është më e rëndësishme që të veprohet.

Takimi njëjavor i nivelit të lartë po mbahet në kryeqytetin e ri të Malajzisë, Putrajaya.

Zyrtarë të lartë po parashtrojnë qëndrimet që ministrat e jashtëm dhe krerët e shtetit të vendeve të tyre do t’i diskutojnë gjatë javës së ardhshme. Reth 35 krerë shtetesh priten të marrin pjesë në takimin më të madh të udhëheqësve myslimanë që para sulmeve të 11 shtatorit 2003 në Shtetet e Bashkuara.

Konferenca pritet të trajtojë një numër të madh çështjesh, duke filluar nga goditja ajrore e Izraelit mbi Sirinë, deri tek luftimet mes trupave izraelite dhe luftëtarëve palestinezë në Rripin e Gazës.//kk//

XS
SM
MD
LG