Lidhje

Në Shqipëri përfundon votimi për pushtetin vendor - 2003-10-12


Në Shqipëri u mbajtën të dielën zgjedhjet për kryetarët e bashkive, komunave dhe zyrtarëve të tjerë vendorë, ndërkohë që problemet më të mëdha që u hasën kishin të bënin me disa parregullsi në lista.

Korrespondentët e Zërit të Amerikës njoftuan se dy partitë kryesore, Partia Socialiste në pushtet dhe ajo Demokratike e opozitës kanë filluar të japin rezultatet paraprake, sipas të dhënave të tyre.

Partia Socialiste deklaroi se votimet u zhvilluan të qeta dhe pa probleme.

Partia Demokratike e opozitës, duke iu referuar parregullsive në listat e zgjedhjeve, foli për manipulime, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se parregullsitë janë teknike.

Ndërkohë, për shkak të fluksit të madh të votuesve, qendrat e votimit në Tiranë, qëndruan të hapura deri në orën 20:00 me kohën vendore, një orë më shumë nga ç’ishte përcaktuar.

Një problem tjetër teknik ishte ai i mbushjes së shpejtë të kutive të votimit, mesa duket nga formati i madh i fletëve të votimit.

Numri i vëzhguesve të huaj që ndjekin procesin zgjedhor ishte 300, ndërsa ai i vëzhguesve vendas 2 500.

Kandidatë që përfaqësojnë 60 parti politike konkurruan për poste lokale në 76 qytete dhe në më shumë se 300 komuna.

Kandidatët më të fortë në shumicën e garave pritej të ishin nga dy grupet kryesore politike, Partia Socialiste në pushtet e Kryeministrit Fatos Nano dhe Partia Demokratike e opozitës e udhëhequr nga-ish presidenti Sali Berisha.

Analistët thonë se këto zgjedhje përbëjnë një provë për demokracinë e brishtë të Shqipërisë. //kk//

XS
SM
MD
LG