Lidhje

OKB: mëse 1000 palestinezë pa strehë pas operacionit izraelit - 2003-10-13


Kombet e Bashkuara thonë se operacioni i fundit ushtarak izraelit në një kamp refugjatësh në Rripin e Gazës ka lënë pa strehë më shumë se një mijë palestinezë.

Një zyrtar i lartë i organizatës botërore, i cili vizitoi dje kampin shumë të populluar në Rafah, në pjesën jugore të Rripti të Gazës, e cilësoi atë si një pikturë shkatërrimi.

Peter Hansen u tha sot gazetarëve se operacioni izraelit për të gjetur dhe shkatërruar tunelet që përdorën për të futur kontrabandë armë nga Egjipti, ka shkaktuar dëme të mëdha në kampin e refugjatëve. Zoti Hansen theksoi se forcat izraelite shkatërruan deri në 120 shtëpi, duke lënë pa strehë afro një mijë e 500 veta.

Izraeli i mohon pretendimet e zotit Hansen, duke thënë se ushtria dëmtoi vetëm disa ndërtesa dhe se ajo kishte vënë në shënjestër vetëm struktura të përdorura nga ekstremistë palestinezë. Një zëdhënës ushtarak tha se disa ndërtesa u shëmbën për shkak se ato qendronin në afërsi apo mbi tunelet që përdoren për kontrabandë.

Operacioni, i cili filloi të enjten, nxiti luftime të ashpra. Gjatë operacionit u vranë tetë palestinez, përfshirë dy fëmijë, dhe u plagosën shumë të tjerë.

Pjesa më e madhe e trupave izraelite ishin tërhequr nga kampi i refugjatëve në Rafah deri dje në mëngjes, por grupe të vogla ushtarësh mbeten atje për të vazhduar kërkimet.

Izraeli thotë se ka shkatërruar tre tunele, por deri tani nuk ka gjetur armë.//ii

XS
SM
MD
LG