Lidhje

Celibashi: proces zgjedhor i lirë, i drejtë dhe i ndershëm, me disa anomali teknike - 2003-10-13


Lidhur me reagimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ecurinë e procesit të djeshëm, sidomos ndaj deklaratave të Partisë Demokratike, Zëri i Amerikës intervistoi Kryetarin e këtij Komisioni, zotin Ilirian Celibashi.

Zëri i Amerikës: Zoti Celibashi, si i vlerëson Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zgjedhjet e djeshme?

I. Celibashi: Nga informacionet dhe të dhënat që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deri në momentin e sotëm, mund të konsiderohet pa hezitim, si një proces zgjedhor i lirë dhe i ndershëm. Pavarësisht nga disa anomali të karakterit teknik, në thelbin e vet, ky proces ngelet një proces i përkufizuar si i lirë, i drejtë dhe i ndershëm.

Zëri i Amerikës: Zoti Celibashi, lidhur me problemin e listave. Si e spjegoni ju faktin që një numër i konsiderueshëm zgjedhësish e kanë patur emrin të afishuar në listë, por nuk e kanë gjetur atë ditën e votimit?I

I. Celibashi: Ky është një pretendim i ngritur nga Partia Demokratike dhe ngelet për t’u verifikuar. Ajo çfarë unë mund të them në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është kjo, që çdo produkt që lidhet me listën përfundimtare të zgjedhësve, është rrjedhojë e vendimeve konsensuale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të të gjithë anëtarëve, pra dhe përkrahjes së partive politike, konsensusit të partive politike.

Zëri i Amerikës: Sa përqind e votuesve janë ndeshur me problemin e listave. Opozita përmend probleme me kutitë e votimeve në Tiranë dhe Durrës.

I. Celibashi: Unë nuk jam në gjendje të të them se sa ka qenë ky numër dhe nuk e di se dikush tjetër mund të japë një numër të saktë lidhur me atë që mund të konsiderohet nga dikush parregullsi në listat e zgjedhjeve.

Zëri i Amerikës: Sa e ka vështirësuar procesin problemi i kutive të votimit?

I. Celibashi: Nga informacionet që ka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas mbylljes së procesit rutinë, rezultoi që çështja e kutive të votimit ishte më tepër një çështje që krijoi sensibiletete jo në të gjitha rastet në mënyrë objektive. Kjo edhe për faktin se tani në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve po kthehen mbrapsht shumë kuti votimi bosh, të cilat dje u shpërndanë me urgjencë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nga të dhënat që ka marrë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nëpëmjet KQV-ve, rezulton që procesi i votimit ka shkuar pothuajse pa ndërprerje, me një përjashtim të rrallë, kur kjo ndërprerje nuk ka shkuar më shumë se 20 minuta, ose në ndonjë rast të veçantë, edhe ndonjë orë.

Zëri i Amerikës: Po procesi i numërimit të votave si po shkon dhe kur pritet të shpallet rezultati i zgjedhjeve?

I. Celibashi: Aktualisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të rezultateve të Komisioneve Zgjedhore të Qeverisjes Vendore dhe ne kemi organizuar të gjithë skemën e pritjes së këtyre rezultateve dhe të dorëzimti të bazës materiale. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë mbërritur rezultatet e para nga disa komuna të vogla dhe ne jemi në pritje të rezultateve edhe të komunave të tjera dhe të bashkive.

XS
SM
MD
LG