Lidhje

Vazhdojnë sulmet në Irak - 2003-10-14


Ushtaria amerikane thotë se guerriljet sulmuan një autokolonë ushtarake në veri-lindje të Bagdadit, duke vrarë një ushtar amerikan dhe plagosur 3 të tjerë.

Një zëdhënës i ushtrisë amerikane tha se autokolona u sulmua dje me një bombë në anë të rrugës dhe me armë të vogla zjarri në qytetin Jalawla. Po dje, një ushtar tjetër u vra dhe 2 të tjerë u plagosën nga një sulm me granadë, ndërkohë që po patrullonin në qytetin e Tikritit, vendlindja e Sadam Huseinit.

Një oficer i ushtrisë amerikane tha dje se ka shenja të qarta që ish udhëheqësi irakian ka qënë kohët e fundit në zonën përreth Tikritit dhe ka ende ndikim të madh në atë rajon.

Ndërkohë, presidenti Bush nguli këmbë se është plotësisht në kontroll të politikës së tij për Irakun, megjithë kritikat se administrata e tij nuk ka një strategji të qartë për atë vend.

Presidenti Bush u tha dje intervistuesve se është, siç u shpreh, ”personi që drejton”. Kjo ishte deklarata e fundit në kuadrin e një nisme në fushën e marrëdhënieve publike, e cila synon t’u japë përgjigje kritikëve që thonë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë bërë plane për periudhën e pas luftës në Irak.

Presidenti nuk dha ndonjë afat për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Iraku. Ai tha se trupat amerikane do të largoheshin kur Iraku të jetë i lirë dhe në paqe, i pajisur me kushtetutë dhe pasi të jenë mbajtur zgjedhjet.

Intervistat e Presidentit Bush me mjete amerikane të informimit pasojnë krijimin nga administrata e tij të një Grupi për Stabilizimin e Irakut të drejtuar nga Shtëpia e Bardhë, grup i cili do të bashkërendojë politikën amerikane mbi Irakun.

Shtëpia e Bardhë i ka hedhur poshtë pretendimet se ky grup i sapo-krijuar do ta kufizojë ndikimin e Sekretarit të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, departamenti i të cili deri tani ka qenë agjencia kryesore në administratën amerikane të Irakut.

Zyrtarët hodhën poshtë gjithashtu njoftime se kjo lëvizje ka çuar në tensione ndërmjet zotit Rumsfeld dhe Këshilltares për Sigurinë Kombëtare, Condoleezza Rice, e cila do të jetë në krye të grupit për stabilizimin e Irakut.

//ze//

XS
SM
MD
LG