Lidhje

Irak: shpërthen një makinë bombë pranë ambasadës turke në Bagdad - 2003-10-14


Një makinë bombë shpërtheu pranë ambasadës turke në Bagdad, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e rreth 10 të tjerëve.

Forcat policore hapën zjarr në ajër për të shpërndarë një turmë njerëzish që u mblodhën në vendin e ngjarjes duke hedhur parulla pro Sadam Huseinit.

Shpërthimi i djeshëm ishte me sa sa duket sulmi më i fundit kundër administratës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak dhe ata që e mbështesin atë.

Javën e kaluar, parlamenti i Turqisë votoi për të dërguar trupa paqëruajtëse në kuadër të forcës shumëkombëshe në Irak. Plani i Turqisë për të dërguar trupa është kundërshtuar nga anëtarët e Këshillit Qeverisës Irakian për shkak të konfliktit historik të Turqisë me grupet kurde.

Ndërkohë, fraksionet rivale myslimane shiite u përleshën në qytetin e shenjtë të Kerbelasë në jug të Bagdadit. Të paktën një person u vra dhe më shumë se 20 të tjerë u plagosën në këto përleshje. Sipas dëshmitarëve, përleshjet shpërthyen kur pasuesit e klerikut radikal, Muktada al-Sadër, një kundërshtar i fortë i pranisë ushtarake amerikane në Irak, u përpoqën të merrnin nën kontroll tempullin e Imam Huseinit, një nga objektet më të shenjta fetare të sektit shiit në Kerbela.

Dhe në qytetin verior të Mosulit, zyrtarë ushtarakë amerikanë thanë se forcat amerikane kanë kapur një person i dyshuar si anëtar i lartë i grupit ekstremist Imam al-Husein, për të cilin thuhet se ka lidhje me rrjetin terrorist të Al-Kaidës.

Një zyrtar ushtarak e përshkroi të dyshuarin si zyrtarin numër 3 të grupit Imam al-Husein.

Ndërkohë, përgjigja ndaj një projekt-rezolute të rishikuar mbi Irakun, të propozuar nga Shtetet e Bashkuara në Këshillin e sigurimit të OKB-së, ishte e përmbajtur.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, tha se rezoluta e re, për të cilën kontribuan Britania e Spanja, nuk tregon ndonjë shmangie nga variantet e mëparshme, por merr parasysh disa nga shqetësimet e tij.

Njoftimet e shtypit citojnë zëvendësministrin e jashtëm rus, Yuri Fedotov, të jetë shprehur se Moska ka në plan të sugjerojë disa korigjime në variantin e ri.

Shtetet e Bashkuara do të dëshëronin që projekt-rezoluta të hidhej në votë këtë javë. Projekt-rezoluta parashikon 15 dhjetorin si afat që Këshilli Qeverisës Irakian të paraqesë një plan kohor veprimi për përpilimin e një kushtetute dhe zhvillimin e zgjedhjeve. Mirëpo disa pjesëtarë të këshillit irakian thonë se do të ishte e vështirë për ta të respektonin afatin që propozohet.

//ze//

XS
SM
MD
LG