Lidhje

Shirin Ebadi, e para grua iraniane që fiton çmimin Nobel të Paqes - 2003-10-16


Avokatja iraniane, Shirin Ebad, u nderua me çmimin Nobel të Paqes për vitin 2003. Ajo u zgjodh nga një komision i caktuar nga parlamenti norvegjez. Kryetari i komisioni, Ole Danbolt Mjoes, tha se zonja Ebadi u nderua për punën e saj në fushën e të drejtave të njeriut në Iran, veçanërisht për gratë dhe fëmijët:

“Shpresojmë se populli iranian do të gëzohet pasi për herë të parë në histori, një nga qytetarët e tij nderohet me çmimin Nobel të Paqes. Shpresojmë se çmimi do të frymëzojë të gjithë ata që luftojnë për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në vendin e tyre, në botën myslimane dhe në të gjitha vendet e tjera”, tha zoti Mjoes.

Zonja Ebadi, 56 vjeç, është diplomuar në drejtësi nga Universiteti i Teheranit, ku ajo jep mësim. Në vitin 1974, ajo u bë gruaja e parë që emrohet gjykatëse në Iran. Por, ajo u detyrua të largohej nga ky post kur ekstremistët klerikalë myslimanë morën pushtetin në vitin 1979. Klerikët iranianë thanë se një grua nuk duhet të vihet në krye të një gjykate. Qysh atëherë, zonja Ebadi ka luftuar për të drejtat e grave në Iran. “Ne, ka thënë ajo, do të kemi shtet ligjor në Iran vetëm kur në bazë të ligjit gratë të trajtohen njësoj si burrat”.

Si avokate, Shirin Ebadi ka përfaqësuar shumë njerëz të arrestuar pasi kanë kërkuar më shumë liri në Iran. Në vitin 2000, ajo u arrestua dhe u burgos për gati tri javë. Një gjykatë me dyer të mbyllura e dënoi atë me 15 muaj burg, por më pas dënimi i saj u anulua.

Në një konferencë shtypi pasi u nderua me çmimin Nobel, zonja Ebadi i bëri thirrje qeverisë Iraniane të respektojë të drejtat e njeriut dhe të lirojë të burgosurit politikë. Zonja Ebadi theksoi se ajo ka besuar gjithmonë se është e mundur të jeshë musliman dhe në të njëjtën kohë të gëzosh të drejtat e njeriut.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan, tha se avokatja Shirin Ebadi e meriton çmimin Noble të Paqes. “Ajo ka punuar pa u lodhur dhe ka vuajtur nën regjimin klerikal, bile është burgosur për shkak të veprimtarisë së saj në mbështetje të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut në vendin e saj” tha zëdhënësi. Siç tha presidenti Bush, “amerikanët mezi presin të shohin një Iran të lirë që të shërbejë si shembull i tolerancës, përparimit dhe demokracisë në Lindje e Mesme dhe mbarë botën.

//rd//

XS
SM
MD
LG