Lidhje

Tailandë: Presidenti Bush përqendrohet tek kriza bërthamore e Koresë së Veriut - 2003-10-19


Në bisedimet e tij me udhëheqës aziatikë në Tailandë, në prag të një takimi rajonal të nivelit të lartë, Presidenti Bush u përqendrua të dielën tek kriza bërthamore me Korenë e Veriut, terrorizmi dhe çështjet ekonomike. Pritej që takimet e presidentit të caktonin tonin e diskutimeve në takimin e nivelit të lartë të Forumit për Bashkëpunim Ekonomik të Azi-Paqësorit që fillon nesër në kryeqytetin e Tailandës, Bangkok.

Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’i japin Koresë së Veriut garanci sigurimi në shkëmbim të vendimit të Phenianit që të heqë dorë nga programi i tij bërthamor. Mirëpo, ai përjashtoi mundësinë e një traktati mossulmimi që kërkon Pheniani.

Presidenti Bush diskutoi rreth krizës bërthamore me homologu i tij kinez, Hu Jintao, qeveria e të cilit ka organizuar bisedimet shumëpalëshe për këtë çështje. Mundësia e dhënies së garancive me shkrim, është hedhur poshtë nga zyrtarë amerikanë në të kaluarën. Por komentet e së dielës të Presidentit Bush i japin kësaj ideje rëndësi, ndërkohë që përpjekjet vazhdojnë për zhvillimin e një raundi tjetër bisedimeve shumëpalëshe mbi çësahtjen bërthamore. Presidenti Bush tha se traktati i mossulmimit nuk është çështje për diskutim, por shtoi se ndoshta ka mënyra të tjera për t’i bërë garancitë e sigurimit me shkrim.

Sekretari i shtetit, Kolin Pauëll, tha sot në rrjetin televiziv Fox se janë disa modele historike për marrëveshje shumëpalëshe sigurimi që po shqyrtohen dhe se idetë amerikane do të diskutohen me pjesëmarrësit e tjerë në dialog.

“Ne, tha sekretari Pauëll, duhet të bisedojmë me palët e tjera, katër prej të cilave mbështesin qendrimin tonë ndaj kësaj çështjeje, dhe pastaj t’ia paraqesim këto ide Koresë së Veriut, dhe t’u themi përsëri koreanoveriorëve se nuk kemi ndërmend të pushtojmë vendin e tyre, se ne jemi të gatshëm të hyjmë në një farë marrëveshjeje me ta, e cila do t’u jepte atyre garancitë që kërkojnë. Mirëpo, kjo duhet të shoqërohet nga gatishmëria e tyre për të hequr dorë në mënyrë të verifikueshme nga programi bërthamor”.

Pas bisedimeve, zoti Hu tha se të dyja palët ranë dakord t’i intensifikojnë përpjekjet për zhvillimin e bisedimeve shumëpalëshe rreth krizës bërthamore me Phenianin. Edhe presidenti rus Vladimir Putin, u tha gazetarëve në Bangkok se është në favor të negociatave të mëtejshme për të zgjidhur mosmarrëveshjen me Korenë e Veriut.

Presidenti Bush tha se ai diskutoi me presidentin kinez edhe për tregëtinë mes dy vendeve, por nuk bëri komente mbi kërkesat amerikane që Kina të rivlerësojë monedhën e saj.

Pas takimit, zoti Hu tha vetëm se Shtetet e Bashkuara dhe Kina kishin rënë dakord që t’i zgjidhnin mosmarrëveshjet ekonomike me dialog.

Në një takim të mëparshëm, po të dielën me kryeministrin tailandez, Thaksin Shinawatra, Presidenti Bush falenderoi Tailandën për rolin e saj në luftën kundër terrorizmit dhe deklaroi se Tailanda është një aleate kryesore e Shteteve të Bashkuara, jashtë NATO-s, duke i dhënë asaj status të posaçëm, gjë që i hap rrugë rritjes së ndihmave ushtarake. //kk//

XS
SM
MD
LG