Lidhje

Ekspertët e mjedisit në New York të shqetësuar për shëndetin e banorëve në Manhatanin e poshtëm - 2003-10-21


Ekspertët e mjedisit në New York po paralajmërojnë qeverinë federale se banorët e Manhatanit të poshtëm mund të përballen me rreziqe serioze pasi apartamentet e tyre nuk janë pastruar siç duhet për të hequr ndotjet e shkaktuara pas shëmbjes së Kullave Binjake.

Gjatë shembjes së kullave binjake, një pluhur i trashë ra furishëm mbi ndërtesat aty pranë dhe mbuloi mjediset brenda tyre. Një erë që i ngjante asaj të shkumësit mbuloi Manhattanin e poshtëm për muaj të tërë. Një javë pas sulmeve, agjencia federale për mbrojtjen e mjedisit, EPA i njoftoi banorët se ajri ishte i padëmshëm.

Agjencia në fjalë është kritikuar shumë muajt e fundit për këtë deklaratë dhe është akuzuar se ka mashtruar banorët e New Yorkut lidhur me pastërtinë e ajrit. Sipas raporteve të brendëshme të qeverisë, një muaj pas rënies së kullave, janë gjetur nivele toksinash dhe kancerogjenesh përtej kufirit të lejuar. Mbrojtësit e mjedisit thonë se shumica e ndërtesave në Nivelin Zero, nuk janë pastruar ende siç duhet për të hequr azbestin.

Ligjvënësi nga New Yorku, Jerrold Nadler po i kërkon Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të bëjë një pastrim të plotë të të gjitha ndërtesave në zonën e Manhatanit të poshtëm. ”Nuk dua që historianët, 30 vjet më vonë të shkruajnë se më shumë njerëz vdiqën nga neglizhenca e qeverisë për të pastruar ambjentin dhe nga mashtrimi për pastërtinë e tij, se sa nga sulmet terroriste,” thotë zoti Nadler.

Një raport prej 100 faqesh i publikuar nga zyra e inspektorit të përgjithshëm të agjencisë federale të mjedisit në muajin gusht nxjerr në pah gabime të shumta në masat e marra prej saj, përfshi mënyrën sesi ajo njoftoi se cilësia e ajrit ishte e pranueshme para se të kryente analizat të mjaftueshme për të arritur në këtë konkluzion.

Zyrtarët e agjencisë kanë pranuar disa gabime por thonë se duke patur parasysh atmosferën kaotike pas 11 shtatorit 2001, raporti mund të ketë edhe të meta.

Marjorie Clarke është profesore për Mjedisin në Kolegjin Lehman. Ajo thotë se reagimi i agjencisë ka qenë shumë i nxituar.

”Është parë se pastrimi i bërë nga agjencia, që filloi gati një vit më parë, u krye vetëm në një të pestën e apartamenteve, në asnjë nga zyrat e bizneseve dhe në asnjë nga shkollat. Kështu që pjesa më e madhe e apartamenteve janë pastruar nga vetë banorët, duke i vënë ata edhe më shumë në rrezik,” thotë zonja Clarke.

Ekspertët e shëndetësisë thonë se ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj asbestit dhe toksinave mund të çojë në shfaqjen e kancerit. Qindra zjarrëfikës që punuan për pastrimin e pasojave të 11 shtatorit kanë marrë raporte mjeksore pasi kanë patur probleme të frymëmarrjes. Disa studime flasin për rritje të rasteve me azmë tek fëmijët në zonat e Manhatanit të poshtëm.

//rd//

XS
SM
MD
LG