Lidhje

Letrat drejtuar gazetave: kush i shkruan ato dhe përse - 2003-10-22


Historikisht, letrat që u dërgohen botuesve të gazetave kanë qenë një mënyrë për të nxitur debatin në një vend demokratik. Korrespondentja jonë Shamane Mills i hedh një vështrim rolit që luajnë letrat e publikut dërguar gazetave në kushtet e rënies së numrit të lexuesve dhe përhapjes së apatisë politike.

Kur amerikanët ndeshen me probleme, atyre u dëgjohet më tepër zëri. Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, gazetat morën shumë tepër letra nga lexuesit se sa zakonisht. E njëjta gjë mund të thuhet pas ndërhyrjes ushtarake amerikane në Irak. Por nuk është vetëm lufta, apo tragjedia që i bën njerëzit të marrin penën, apo të ulen para kompjuterit për të shkruajtur.

Phil Haslanger është kryeredaktor i gazetës ”The Capital Times”. Gazeta që ai drejton i ka zyrat në ndërtesën qeveritare, të shtetit Wisconsin, kështuqë shumë nga letrat që ai merr kanë prirjen të kenë përmbajtje politike. Por jo të gjitha. Ai citon letrën e një gruaje.

”Letra i drejtohet njeriut që hodhi macen dhe 4 këlyshët e saj në autostradë. Do të desha t’ju informoj se macet janë krijesa të dashura, me ndjenja dhe emocione. Ato nuk janë plehëra, por nuk mund të them të njëjtën gjë për ju, thotë gruaja në letrën e saj.”

Gazeta ”The Capital Times” merr dhjetra letra në ditë. Të gjitha ato lexohen nga redaktorët, por vetëm gjysma botohen. Preferohen ato letra, të cilat i referohen një artikulli, apo një komenti editorial, duke nxitur kështu debatin.

Ndërsa gazeta ”The Wisconsin State Journal” boton rreth një të pestën e letrave që i vijnë. Redaktori i saj, Kelly, thotë se shumica e letrave që mund të btohen janë ato, në të cilat njerëzit japin mendime të ndryshme për një debat që sapo ka nisur, apo për ngjarjet e ditës. Por shpeshherë, botohen letra, që paraqesin ide të ndryshme, me të cilat botuesit dëshirojnë që në gazetën e tyre të shprehen këndvështrime të ndryshme të spektrit politik.

Botuesi i gazetës ”Capital Times”, Phil Haslanger, thotë se ai, ashtu sikurse edhe botuesit e tjerë, marrin një numër të madh letrash me E-Mail, të cilat shpesh dërgohen nga organizata të ndryshme, që shprehin idetë e tyre për çështje të debatueshme, por që janë redaktuar në mënyrë të tillë, që të duken sikur janë shkruar nga qytetarët.

”Shpeshherë ne botojmë letra dërguar zyrtarëve politikë. Qëllimi ynë është të shprehen ide të ndryshme, të cilat janë të reja për debatin.”

Një burim i mundshëm idesh të reja janë të rinjtë, por zakonisht të moshuarit janë ata që lexojnë gazetat dhe u shkruajnë botuesve. Peter Orlopp dëshiron ta ndryshojë këtë prirje. Ai është mësues i anglishtes dhe historisë për 12 dhe 13-vjeçarët në shkollën e mesme ”Georgia O’Keefe” të Madisonit. Ai u jep si detyrë gjuhe nxënësve t’u shkruajnë letër botuesve të disa gazetave lokale.

”Dua që nxënësit ta kuptojnë se megjithëse janë të rinj, ata mund ta thonë fjalën e tyre, se nganjëherë dëgjohet edhe zëri i tyre,” thotë zoti Orlop.

Pjesa e gazetës ku botohen mendimet e lexuesve, në shumicën e rasteve është faqja që lexohet më tepër nëpër gazeta. Kështuqë, qoftë debati lidhur me Irakun e pas-luftës, apo macet pa strehë, letrat dërguar botuesit vazhdojnë të mbeten një vend i posaçëm i gazetës, ku zhvillohet debati publik. //ii

XS
SM
MD
LG