Lidhje

Kalendari historik, 22 tetor - 2003-10-23


Më 22 tetor 1962 presidenti John Kennedy, dha urdhër që Shtetet e Bashkuara të vendosnin një bllokadë detare ndaj Kubës. Ky urdhër erdhi pasi u zbulua ndërtimi në ishull i disa bazave për lëshimin e raketave bërthamore sovjetike.

Fotografi të agjencive të zbulimit tregonin gjithashtu përgatitjen e bazave ushtarake për bombardues me rreze të gjatë veprimi, që mund të goditnin shumë qytete në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera perëndimore.

Në një fjalim që u transmetua në mbarë vendin, presidenti Kennedy dha njoftimin për bllokadën dhe shprehu mendimin që çelsin për t’i dhënë fund krizës e kishte në dorë udhëheqësi sovjetik, Nikita Hrushov.

“Ai ka tani rastin ta largojë botën nga humnera e shkatërrimit, duke iu përmbajtur thënieve të qeverisë së tij, që ajo nuk ka nevojë të vendosë raketa jashtë territorit të saj dhe t’i heqë këto armë nga Kuba, duke mos ndërmarrë asnjë lloj veprimi, që do të zgjeronte ose thellonte krizën e tanishme dhe pastaj duke marrë pjesë në përpjekjet për zgjidhje të përhershme paqësore.”,- tha presidenti Kennedy.

Më 22 tetor 1883 Opera Metropolitane e Nju Jorkut vuri në skenë shfaqjen e parë në sallën e saj të re të përhershme. Gazetarët e përshkruan mbrëmjen si një festë dritash nën ndriçimin e një llampadari shumë të madh vezullues që varej nga tavani i teatrit të operas.

Të 3 mijë e 625 vendet e sallës së re të teatrit ishin zënë. Sipas disa njoftimeve, pjesa e brendshme e sallës ishte shumë më e bukur se sa pamja e jashtme, me mure me tulla të verdha, që një kritik i krahasonte me muret e një punishteje birre.

Pjesa e parë operistike që u vu në skenë ishte Fausti, e kompozitorit francez, Sharl Guno.

Të gjitha pjesët e këtij sezoni të parë operistik në sallën e re, duke përfshirë edhe operan Lohengrin të Vagnerit, u kënduan në frengjisht ose në italisht.// lk //

XS
SM
MD
LG