Lidhje

Nano: qeveria do të vazhdojë punën normalisht - 2003-10-23


Kryetari i PS, Fatos Nano, deklaroi në mbrëmje se qeveria që ai drejton do të vazhdojë punën normalisht, megjithë vendimin e sotëm të parlamentit për rrëzimin e dy ministrave të propozuar prej tij. Zoti Nano tha në një konferencë shtypi pas mbledhjes së kryesisë së partisë se deri në kongresin e partisë, që pritet të mbahet më 12 dhjetor, detyrat në ministrinë e rendit publik dhe atë tw jashtme do të kryhen nga zëvendësministrat.

“Qeveria do të vazhdojë punën dhe, me precedentin krejtësisht kushtetues të zëvendësministrit të jashtëm, në mbledhjen e saj të sotme do të emërojë edhe një zëvendësministër tjetër krahas atij ekzistues, për të përballuar ngarkesën pas largimit të ministrit Rama”,- tha ai.

Zoti Nano dënoi qëndrimin e një grupi deputetësh socialistë, të cilët duke bashkuar votat me opozitën, siç tha ai, organizuan një “puç pallati”, që ai e krahasoi me ngjarjet e 14 shtatorit të vitit 1998.

“Akti politik i një grupi të deputetëve tanë që bashkuan votat me opozitën është një shkelje e qartë dhe e rëndë, për shkak se është e përsëritur, e këtij vullneti të certifikuar politik dhe në fjalorin politik modern të demokracive parlamentare konsiderohet asgjë më pak a më shumë se një puç i pastër pallati”- tha ai.

Zoti Nano u shpreh i bindur se kongresi i partisë së tij do të zgjidhte të gjitha problemet e brendshme të PS, duke theksuar se disa prej deputetëve socialistë nuk po përfaqësojnë interesat e elektoratit socialist, dhe se për këtë do të marrin ndëshkimet politike përkatëse. Ai ndërkohë hodhi poshtë mundësinë e provokimit prej tij të zgjedhjeve të parakohëshme.

“Nëse emrat që bashkuan votat me Berishën do të kërkonin të kontestonin autoritetin që unë vazhdoj të kem, sepse sapo ma dhanë zgjedhësit përsëri, atëhere ka dy rrugë: ose zgjedhje të tjera, të cilat unë nuk kam ndërmend t’i provokoj, ose mocion mosbesimi ku ata do të jenë të detyruar të bashkojnë sërish votat me Berishën dhe të djegin votat elektorale, që meqë s’jam marrë me ta deri sot, në fushatën e ardhshme politike, do t’ju jap provat që do t’i humbasin”.- tha kryeministri Nano.

Pas konferences së shtypit, zoti Nano nxitoi për në mbledhjen e qeverisë, nga ku priten disa vendime të rëndësishme, mes të cilave edhe emërimi i zëvendësministrit të ri të rendit publik.

Parlamenti shqiptar hodhi poshtë sot dekretet e Presidentit Moisiu për emërimin e dy ministrave të qeverisë Nano. Kandidaturat e zotërinjve Namik Dokle për ministër të jashtëm dhe Fatmir Xhafa për ministër të rendit publik, u rrëzuan me një diferencë fare të vogël prej vetëm dy votash, kur deputetët e opozitës bashkuan votat me një grup deputetësh socialistë, kundërshtarë të zotit Nano.// lk //

XS
SM
MD
LG