Lidhje

Prof. Nikolla Pano: Legjitimiteti i qeverisë shqiptare në pikëpyetje - 2003-10-25


Vëzhguesit e huaj po shprehin gjithnjë e më shumë shqetësim për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri që po e çojnë vendin drejt paqëndrueshmërisë dhe pasigurisë. Profesori i Historisë i Universitetit Western Illinoi Nikolla Pano, një ekspert i njohur i çështjeve shqiptare, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se në se politika në Shqipëri nuk ndryshon, vendi rrezikon të hyjë në kategorinë e shteteve të dështuar. Me profesorin Pano bisedoi kolegu Arben Xhixho.

Pas tensioneve të fundit midis kryeministrit Fatos Nano dhe Ilir Metës, thotë profesori Pano, pyetja që shtrohet tani është a do të arrijë kjo parti të qëndrojë e bashkuar, apo, ashtu siç mendojnë shumë, do të ndahet. Legjitimiteti i kësaj qeverie thotë ai, është vënë në pikëpyetje.

“Është vështirë të thuhet se qeveria e sotme shqiptare ka legjitimitet. Partia socialiste duhet të organizojë një debat serioz dhe të votojë në se qeveria duhet apo jo të funksionojë ashtu siç thotë kryeministri.”

Profesori Pano e ka fjalën për komentet e fundit të zotit Nano për të qeverisur me zëvendës ministra.

Pas krizës së fundit të shkaktuar nga paaftësia e kryeminsitrit për të zëvendësuar Ministrin e Jashtëm dhe atë të Rendit, tensionet Nano-Meta duket se arritën pikën e tyre më të lartë deri tani. Përsëri dolën në skenë akuzat dhe kundër akuzat për lidhje me krimin, që përmenden sa herë acarohet klima politike, por harrohen kur tensionet ulen. Shkëmbime të tilla akuzash thotë profesori Pano ia ulin prestigjin qeverisë dhe dëmtojnë imazhin e qeverisë në arenën ndërkombëtare. Shqipëria thotë profesori ka nevojë për një ligj transparence për financat e politikanëve.

“Një nga mjetet për të verifikuar se sa janë të vërteta këto akuza është që qeveria të miratojë një ligj kuptimplotë, dhe e theksoj këtu fjalën kuptimplotë, për pasuritë financiare të politikanëve. Kjo do të tregonte se ku janë burimet e të ardhurave dhe sa janë shtrirë tentakulat e krimit të organizuar tek qeveritarët ashtu siç thuhet në akuzat dhe kundërakuzat që bëhen.”

Por ai që del i humbur nga grindjet e politikanëve është populli dhe vendi. Lufta e vazhdueshme, thotë profesori Pano, i ka larguar energjitë e qeverisë nga zgjidhja e problemeve të vendit si energjia elektrike, uji, ndërtimi i rrugëve, papunësia, largimi i intelektualëve dhe krimi.

“Dhe ndërsa zoti Nano mund të verë në dukje përparimet, përpjekjet e qeverisë nuk kanë qënë aq të mëdha sa ç’duhet të ishin. Dhe në fund të fundit këto ndikojnë në ekonominë e vendit. Paqëndrueshmëria shkurajon investitorët e huaj dhe pengon integrimin e Shqipërisë me Evropën dhe pa dyshim që demoralizon shumë të rinj shqiptarë dhe i detyron disa prej njerëzve më të mirë që të largohen nga vendi. Gjithë këto trazira politike kanë ndikime serioze ekonomike dhe sociale për vendin.”

Kriza në Partinë Socialiste thotë profesori, duhet të kishte çuar në shtimin e mbështetjes për Partinë Demokratike, por kjo nuk ka ndodhur, pasi për fat të keq, shumë njerëz ende nuk e kanë harruar trashëgiminë e politikave autoritare të qeverisë së Sali Berishës. Megjithatë thotë profesori Pano, zgjedhjet e fundit treguan se njerëzve po u humbet durimi nga qeverisja socialiste.

“Por megjithë këtë, socialistët gjithnjë e më shumë po tregojnë se e kanë të vështirë të qeverisin dhe gjithnjë e më shumë shqiptarët mund t’u kthehen demokratëve që vendi të ketë qeverisjen për të cilën ka nevojë. Qeveria socialiste ka vetëm pak kohë për të përcaktuar në se është apo jo e aftë të qeverisë vendin. Dhe në se zoti Nano nuk arrin dot kompromis me partinë e tij në Kongres ai duhet të shqyrtojë me shumë seriozitet zhvillimin e zgjedhjeve të reja. ”

Klasa politike shqiptare thotë profesori Pano nuk ka treguar pjekurinë e duhur politike për qeverisjen e vendit. Sistemi shumëpartiak, thotë ai, funksionon me efektivitet kur eksiston një shkallë e caktuar bashkëpunimi dhe mirëbesimi që i ka munguar vazhdimisht politikës në Shqipëri.

“Shqiperia rrezikon, në se vazhdon në rrugën e tanishme të quhet një shtet i dështuar. Dhe kjo do të ketë pasoja jo vetëm për Shqipërinë por edhe për kërkesën e Kosovës për pavarësi. Një nga argumentet që përdoret për të shtyrë caktimin e statusit final, është zhvillimi i pamjaftueshëm i institucioneve dhe shumë sjellin si shembull Shqipërinë që është në prag të dështimit politik.”

Prandaj, thotë profesori Nikolla Pano, udhëheqësit shqiptarë duhet të punojnë drejt vendosjes së ndjenjës së besimit, dhe të fillojnë të punojnë për një objektiv të përbashkët që do të çonte përpara zhvillimin ekonomik, do të vendoste qëndrueshmërinë sociale dhe do të sillte zhvillimin në përgjithësi të vendit.

XS
SM
MD
LG