Lidhje

A përbën ndërhyrje në jetën private përdorimi i ADN-së? - 2003-10-25


ADN-ja është kthyer në një instrument të çmuar në duart e organeve të rendit dhe të drejtësisë. Falë përparimeve që i lejojnë shkencëtarët të dallojnë ADN-në nga një fije floku, apo disa qeliza të lëkurës, policia dhe prokurorët kanë mundur të identifikojnë dhe dënojnë qindra kriminelë.

Por, nuk është mjaftueshme që të gjendet prova e ADN-së nga vendngjarja. Policia duhet ta krahasojë atë me ADN-në e një personi të njohur dhe kjo ka ngritur një sërë çështjesh që lidhen me të drejtën e jetës private.

Ashtu si edhe me shenjat e gishtërinjve, të gjithë personat kanë ADN të ndryshme. As binjakët identikë nuk kanë të njëjtën ADN. Por të dhënat e ADN-së që gjenden në vendngjarje nuk mund të përdoren nëse nuk krahasohen me atë të një personi të veçantë. Dhe sipas John Junkerit, pedagog i së drejtës penale në Universitetin e shtetit të Washingtonit, ky krahasim mund të përbëjë një sfidë për policinë, meqenëse ADN-ja konsiderohet pasuri vetjake e çdo individi:

“Sigurisht që policia nuk mundet thjesht të bëjë kontrolle ku të dojë. Ata ose duhet të kenë arsye të besojnë se gjaku ose indet e një personi do të jepnin prova për një krim, ose duhet t’i marrin provat me miratimin e individit, ose mund ta bënin një një gjë të tillë fshehtas”.

Mënyra e fundit, marrja e ADN-së fshehtas po ngre disa pikëpyetje ligjore. Gjykatat kanë arritur në përfundimin se policisë nuk i duhet një urdhër gjykate për të kontrolluar mes sendeve që i dyshuari mund të hedhë, si kapëse flokësh, bishta cigaresh etj. Por korrikun e kaluar, kur policia e shtetit të Washingtonit arrestoi John Athanin për përdhunimin dhe vrasjen e një 13 vjeçareje në vitin 1982, policia nuk kishte marrë autorizimin e gjykatës.

Policia e arrestoi Athanin pasi krahasoi ADN-në e pështymës së tij, me atë që u gjet në trupin e viktimës. Në kohën e vrasjes John Athani dyshohej si autori i krimit, por metodat e identifikimit nuk ishin aq të sofistikuara. 21 vjet më pas agjentët e policisë i kishin dërguar atij një formular të rremë për ta plotësuar dhe dërguar në polici. Athani e kishte plotësuar dhe e kishte futur në një zarf që e kishte mbyllur duke e lëpirë me pështymë. Kaq mjaftoi që policia të marrte ADN-në.

John Muenster, avokati i John Athanit, thotë se ka paraqitur një mocion që të mos merret parasysh prova e ADN-së dhe për ta pezulluar çështjen, në bazë të një vendimi gjykate në shtetin e Washingtonit se gjyqtarët mund ta bëjnë një gjë të tillë, në rast veprimesh arbitrare ose shkeljesh nga autoritetet.

Por, John Junker i universitetit të Washingtonit thotë se ka patur plot raste të tilla dhe se përpjekjet që bëjnë agjentët për të marrë informacionin që duan pa u thënë të dyshuarve se cilët janë, nuk përbëjnë shkelje.

Sipas avokatit Muenster, në rastin e John Athanit, punonjësit e policisë jo vetëm që nuk thanë se ishin policë, por pretenduan se ishin avokatë dhe në Shtetin e Washingtonit është e paligjshme të thuash që je avokat, kur nuk je. “Amerikanët gëzojnë të drejtën të këshillohen me një avokat, i cili e kanë për detyrë që të ruajë besimin e klientit. Nëse policët lejohen të shfaqen si avokatë, shtyllat e sistemit tonë do të shembeshin”.

Prokurorët e Siatëllit nuk po bëjnë komente për çështjen e mocionit për pezullim, pasi gjyqi bëhet pas rreth një muaji. Nëse gjykatësi nuk vendos ta pezullojë çështjen, gjyqi i Athanit për përdhunim dhe vrasje do të hapet në 13 nëntor.//kk//

XS
SM
MD
LG