Lidhje

Bush: Terroristët duan të ngjallin frikë dhe të krijojnë kaos - 2003-10-29


Më 27 tetor, ditën e parë të muajit të shenjtë islamik të Ramazanit, më shumë se 30 njerëz humbën jetën në një seri shpërthimesh vetëvrasëse në Bagdad. Një shpërthim ndodhi pranë ndërtesës së Kryqit të Kuq. Tre shpërthime të tjera goditën rajone policore irakiane.

Më 26 tetor, terroristët sulmuan hotelin al-Rashid në qendër të Bagdadit, në të cilin janë vendosur anëtarë të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

“Në Irak, tha presidenti Bush, ka terroristë që janë të gatshëm të vrasin çdo njeri me qëllim që të ndalin përparimin e koalicionit në atë vend.”

“Njerëzit që kryejnë sulme të tilla janë vrasës të pamëshirshëm, ata janë terroristë dhe asgjë tjetër. Dhe mënyra më e mirë për t’i gjetur ata është të punohet së bashku me popullin irakian për t’i nxjerrë ata nga strofkat e tyre dhe për t’i sjellë para drejtësisë”, theksoi Presidenti Bush.

Shtetet e Bashkuara janë të vendosura të punojnë me popullin irakian për eliminimin e terroristëve. Por, sa më i madh të jetë përparimi në Irak, aq më të dëshpruar bëhen këta vrasës. Presidenti Bush thotë se terroristët nuk mund të durojnë idenë e një shoqërie të lirë.

“Terroristët e urrejnë lirinë. Ata duan terrorin. Ata dëshirojnë të ngjallin frikë dhe të krijojnë kaos. Por, administrata amerikane nuk do të gjunjëzohet para këtyre vrasësve. Në të vërtetë, ne jemi tani më të vendosur të punojmë me popullin irakian për të krijuar kushtet e lirisë e të paqes, për shkak se është në interesin tonë kombëtar që të veprojmë në këtë mënyrë. Është në interesin afatgjatë të paqes në botë që ne të punojmë për ta bërë popullin irakian të lirë dhe të sigurt. Një Irak i lirë dhe i sigurt në zemër të Lindjes së Mesme, theksoi Presidenti Bush, do të ketë ndikim të fuqishëm historik.”

“Shtetet e Bashkuara, tha Presidenti Bush, do ta vazhdojë këtë kurs me qëllim që ta realizojnë këtë objektiv.”//xh//

XS
SM
MD
LG