Lidhje

Irak: të paktën 4 të vrarë nga shpërthimi më i fundit i një makine bombë - 2003-10-29


Në Irak, shpërthimi më i fundit i një makine bombë shkaktoi vdekjen e të paktën 4 vetëve në perëndim të Bagdatit, ndërkohë që presidenti Bush fajëson për valën e sulmeve elementët besnikë të Sadam Huseinit dhe terroristë të huaj.

Sipas policisë irakiane dhe dëshmitarëve, makina bombë shpërtheu dje në mesditë në Falluxhah, rreth 100 metra larg një stacioni policie, pranë një shkolle dhe një nënstacioni elektrik.

Në zhvillime të tjera, ushtria amerikane njoftoi se një ushtar amerikan u vra të hënën në Bagdad nga një sulm me granadë.

Koalicioni i udhëheqëur nga Shtetet e Bashkuara njoftoi gjithashtu dje se nënkryetari i Bashkisë së Bagdatit u vra të dielën mbrëma afër shtëpisë së tij. Asnjë i dyshimtë nuk është identifikuar publikisht. Po dje më vonë, një gazetar irakian u vra në Mosul.

Ndërkaq, presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të frikësohen nga ato që ai i quajti sulme të dëshpëruara kundër civilëve. Ai shtoi se bota është sot më e sigurtë sepse Sadam Huseini dhe talebanët nuk janë më në pushtet.

Presidenti Bush i bëri këto komente dje, një ditë pas një sërë sulmesh në Bagdad, ku humbën jetën të paktën 34 veta dhe u plagosën mbi 200 të tjerë.

//ze//

XS
SM
MD
LG