Lidhje

Kryeministri Rexhepi: Dialogu Prishtinë-Beograd, në kohën dhe kushtet e përshtatshme - 2003-10-30


Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, si e vlerësoni raportin e zotit Holkeri?

Bajram Rexhepi: Ndoshta është herët dhe unë nuk kisha dashur ta vlerësoj raportin për arsye se ishte kohë e shkurtër e zotit Holkeri si kryeadministrator dhe mendoj që shumica e hapësirës së raportit tremujor është e mbuluar me çështjen e dialogut, për arsye se ai ishte edhe aktiviteti kryesor i zotit Holkeri, por po ashtu edhe dhuna, incidentet të cilat kanë ndodhur në muajt dhe javët e kaluara, pra kemi pritur që në një raport tremujor të tillë, kryesisht vëmendja do të përqendrohet në çështjen e dialogut dhe çështjen e incidenteve, dhunës, vrasjeve që kanë ndodhur sidomos të disa pjesëtarëve të komunitetit serb. Mirëpo megjithatë pozitive është se zoti Holkeri është angazhuar për operacionalizimin e standardeve, i cili do të jetë një projekt i përbashkët me UNMIK-un dhe është një gjasë e mirë që të bëhet përparimi në fusha të caktuara dhe secili do të ketë të definuar se për çka është përgjegjës dhe angazhimi për vazhdimin e procesit të provatizimit dhe po ashtu mënyra indirekte e kërkesës që për përgjegjësitë të cilat janë të rezervuara, Këshilli i Sigurimit të ketë konsideratë dhe me ndonjë vendim të posaçëm t’i krijojë mundësitë që edhe ato në një të ardhme të afërt të transferohen në institucionet e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, ju përmendët dialogun, por zoti Holkeri shprehu pakënaqësinë për mospjesëmarrjen tuaj në takimin e Vienës, duke shfaqur natyrisht shpresën se ju do të përfshiheni në procesin e bisedimeve me Beogradin, me themelimin e grupeve të punës. Por cili është në thelb qëndrimi juaj ndaj këtij procesi?

Bajram Rexhepi:Por mendoj, unë edhe me prononcimet e mia dhe në qëndrimin unanim të qeverisë, ne ndjekim vijën institucionale, kemi kërkuar që parlamenti të mbajë një qëndrim politik, me një konsensus, pro ose kundër dialogut, ajo ishte arsyeja që unë si kryeministër dhe anëtarë të tjerë të qeverisë nuk kemi marrë pjesë, për arsye se kemi menduar se shkuarja pa një përgatitje të mirëfilltë do të kishte konsekuenca në punën e mëtejshme të qeverisë. Megjithatë mendoj se nuk është vetëm kërkesa e zotit Holkeri, por edhe e Këshillit të Sigurimit, Unionit Evropian dhe në përgjithësi faktorit ndërkombëtar se dialogu duhet të vazhdojë dhe ne po ashtu nuk jemi në princip kundër dialogut, mirëpo mendoj që duhet të gjendet një formë më optimale për pjesëmarrjen e qeverisë dhe mendoj se kjo mund të ndodhë nëpërmjet operacionalizimit të standardeve, ku do të krijohen grupet punuese për secilin standard veç e veç dhe ne kuadër të këtyre standardeve ku është edhe dialogu, mund të gjendet forma edhe e kyçjes së pjesës teknike të qeverisë në dialogun e ardhshëm në kohën e përshtatshme.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, cili është vlerësimi juaj për gjendjen e sigurisë për serbët në Kosovë?

Bajram Rexhepi: Po mendoj se gjendja e sigurisë është shumë më e mirë se më parë, megjithatë incidentet të cilat ishin karakteristikë e dy-tre muajve të kaluar dhe sidomos në momentin e ardhjes së zotit Holkeri, ishin ato që në një mënyrë e tronditën këtë regjion, për arsye se ishin disa vrasje makabre të fëmijëve serbë dhe ne ende e paguajmë në një mënyrë çmimin e të gjitha këtyre krimeve, edhe sepse ne jemi pala më e interesuar që këto raste të zbardhen sa më shpejt dhe në përgjithësi mund të them se tani, pas asaj vale dhune, situata është më e mirë, por megjithatë mbeten shumë raste të pandriçuara dhe unë edhe një herë e potencoj se nuk është interesi i kosovarëve që të ketë raste të tilla të dhunës dhe ne do të donim që gjyqësia dhe policia të jetë shumë më efikase dhe sa më shpejt t’i ndriçojë këto raste.

Zëri i Amerikës:Zoti kryeministër, Administratori Holkeri ju kritikoi juve për mosshkuarjen në Vienë por as ju nuk e keni kursyer UNMIK-un nga kritikat sidomos për tolerimin e korrupsionit dhe të prostitucionit. Na thoni ju lutem ku i mbeshtesni këto kritika?

Bajram Rexhepi:Unë do të shtoja edhe diçka tjetër: Po ashtu mund të jetë edhe një kritikë se pse përfaqësuesit vendorë nuk marrin pjesë në Këshillin e Sigurimit, që edhe ata të paraqesin pikëpamjen e vet të zhvillimeve aktuale në Kosovë, ku sigurisht përveç atyre që ka prezantuar zoti Holkeri do të kishte edhe çështje të tjera, të cilat janë prioritete të qeverisë, mirëpo ky është realiteti ynë. Ndërsa përsa i përket korrupsionit dhe krimit ekonomik, ne që prej fillimit, që pas ardhjes së zotit Shtajner si kryeadministrator, me formulën e famshme “zero tolerancë kundër krimit të organizuar, krimit ekonomik, korrupsionit”, e kemi përkrahur plotësisht dhe me të drejtë kemi pritur që të ketë transparencë, të ndriçohen rastet aty ku është dyshuar se ka korrupsion, por deri tani rezultatet kanë munguar dhe nëse ne nuk kemi pasur një kredibilitet moral të kërkojmë se çfarë ka ndodhur me donacionet të cilat i ka dhënë bashkësia ndërkombëtare për Kosovën, kemi obligim moral ndaj qytetarëve tanë që të kërkojmë që këta taksapagues që e mbushin buxhetin e Kosovës dhe mjetet e tyre a përdoren në mënyrë të drejtë, apo ka shpërdorime. Ne kemi dyshime të bazuara se ka elemente të korrupsionit në struktura mjaft të larta të UNMIK-ut, por bashkë me vendorët i kemi bërë publike me qëllimin më të mirë, jo që ta denigrojmë UNMIK-un, por që të lëvizin më aktivisht në drejtim të zbardhjes së korrupsionit dhe krimit ekonomik që sigurisht që ekziston në Kosovë dhe ne presim se edhe Këshilli i Sigurimit, edhe Unioni Evropian do të angazhohen në këtë drejtim dhe do të kemi një transparencë shumë më të madhe se ç’ka bëhet me mjete të caktuara, sidomos në ndërmarrjet publike dhe me rastet e tenderimit ku është një mundësi e madhe e keqpërdorimit.

Zëri i Amerikës: Parlamenti i Kosoves sot miratoi nismën për ndryshimin e Kornizës Kushtetuese. Nëse nisma nuk përkrahet nga UNMIK-u, si do të reagoni ju dhe a mund të çojë kjo në fërkime të reja me administratën ndërkombëtare?

Bajram Rexhepi:Po mendoj se edhe në kornizën kushtetuese ekziston një nen i cili lejon mundësinë që të bëhen disa ndryshime në kornizën kushtetuese. Mendoj se një ndryshim i vogël në kornizën kushtetuese është bërë me rastin e zgjerimit të kryesisë së Kuvendit, e cila u shtua me dy vetë, mirëpo megjithatë që të ketë sukses ndryshimi i disa pjesëve të kornizës kushtetuese, është e domosdoshme që të pritet ardhja e zotit Holkeri, të bisedohet me të, me zyrën ligjore dhe bashkarisht edhe kjo zyrë bashkë me zotin Holkeri, Komisioni i Kuvendit për ndërrimin e kornizës kushtetuese dhe strukturat e qeverisë, bashkarisht të gjejmë formën më optimale, në mënyrë që të mos ketë fërkime. Mendoj se kjo do të jetë forma më e mirë dhe shpresoj se do të gjejmë gjuhë të përbashkët.//kk//

XS
SM
MD
LG