Lidhje

Si është përdorur feja për të motivuar terrorizmin? - 2003-11-01


Vala e kohëve të fundit e shpërthimeve vetëvrasëse në Irak dhe Izrael ka tërhequr vëmendjen tek pyetja se çfarë i motivon terroristët, politika, feja apo një gërshetim i të dyjave? Në librin e saj, “Terror në Emër të Zotit, Çfarë i Shtyn Ekstremistët Fetarë të Vrasin?”, ekspertja Jessica Stern shqyrton problemin e përdorimit të fesë si motiv për dhunë.

Pjesa më e madhe e librit të zonjës Stern u kushtohet grupeve ekstremiste myslimane si al-Kaida dhe Hamas dhe çfarë i motivon ato. Mirëpo, ajo përfshin kaputij edhe mbi kultet e krishtera amerikane dhe ekstremistët hebrenjë.

“Sot, thotë zonja Stern, janë vetëm terroristët myslimanë që përbëjnë kërcënim të madh për sigurinë ndërkombëtare. Mirëpo, unë kërkova të përfshij edhe tradita të besimeve të tjera fetare, pasi në periudha të ndryshme të historisë, çdo fe ka nxjerrë ushtri të rëndësishme vrasësish fetarë. Pra, dua të theksoj se kjo nuk është dukuri e veçantë për Islamin”.

Në intervista kokë më kokë me radikalë myslimanë, hebrenjë dhe të krishterë, zonja Stërn ka gjetur disa aspekte të përbashkëta që i tejkalojnë lidhjet fetare.

“Thuajse çdo individ me të cilin kam folur, thekson zonja Stern, e shikonte globalizimin si kërcënim serioz ndaj identitetit, ndaj një identiteti etniko-fetar, dhe mendojnë se institucionet globale si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore janë të dëmëshme për shoqëritë. Al-Kaida i shikon ato si vegla të hegjemonisë amerikane”, thotë ekspertja.

Një shqetësim tjetër i përbashkët është ndjenja e poshtërimit dhe e mospërfilljes.

“Mendoj se ndjenja e poshtërimit është një faktor shumë i rëndësishëm, të cilin një udhëheqës terrorist mund ta forcojë apo në disa raste të ndihmojë për krijimin e tij, dëshira e pasuesit për një identitet të ri me dinjitet më të lartë, me nderime më të mëdha dhe mënyra sesi një udhëheqës mund t’i bindë pasuesit se rruga për arritjen e atij identieti të nderuar është nëpërmjet dhunës”, thotë zonja Stern.

Për shembull, zonja Stern mendon se forcimi i ndjenjës së poshtërimit në radhët e palestinezëve është faktori vendimtar për rritjen e numrit të të rinjëve të gatshëm për misione vetëvrasëse.

“Me kalimin e kohës, e kam kuptuar se janë pikërisht aktet e vogla poshtëruese, që për izraelitet duken krejt të parëndësishem, që shuajnë shpresat dhe ngjallin ndjenjën e poshtrimit në radhët e palestinezëve dhe si rrjedhim ndihmojë Hamasin e Xhihadin Islamik në fushatat e tyre të rekrutimit”, thekson ekspertja e çështjeve të terrorit.

Udhëheqësit terroristë e paraqesin veten shpesh si udhëheqës shpirtërorë dhe ofrojnë shpërblime shpirtore e monetare dhe mundësinë e një jete më të mirë. Në Pakistan, thotë zonja Stern, jetimoret dhe shkollat fetare radikale bëhen çerdhe për përgatitjen e luftëtarëve fetarë.

Udhëheqësit e kulteve të krishtera në Shtetet e Bashkuara, shton ajo, i kanë izoluar shpesh herë pasuesit e tyre nga bota tjetër dhe kanë ndaluar diskutimet rreth pikëpmajeve alternative. Zonja Stern thotë se tani udhëheqësit terroristë në botën myslimane shfrytëzojnë pakënaqësinë ndaj ndërhyrjes ushtarake amerikane në Irak si pikëmbështetjeje që ngatërron politikën me fenë, gjë që nuk është marrë fare para sysh nga administrata amerikane, dhe si rrjedhin rekrutimi ka marrë përmasa më të mëdha.

Ekspertja Stern thotë se përgjigjia ushtarake është e domosdoshme në disa raste. Por kjo është pjesë e luftës kundër terrorit, në të cilën Shtetet e Bashkuara janë relativisht të afta. Amerika, shton ajo ka bërë përparim të madhe edhe përsa u përket agjencive të rendit dhe bashkëpunimit në fushën e shërbimit të zbulimit. Por, ajo vë në dukje rritjen e armiqësisë ndaj Shteteve të Bashkuara, sidomos në radhët e shoqërive myslimane dhe thotë se edhe përmbysja e kësaj prirjeje është pjesë shumë e rëndësishme në luftën kundër terrorizmit.//kk//

XS
SM
MD
LG