Lidhje

Disa shpërthime të fuqishme dëgjohen në Bagdad - 2003-11-08


Disa shpërthime të fuqishme u dëgjuan sot në darkë në Bagdad, pas një dite aktesh të dhunshme në Irak, pavarësisht nga rritja e masave të sigurisë nga ana e Shteteve të Bashkuara.

Një zëdhënës i ushtrisë amerikane tha se dëgjoi sot dy shpërthime njëri pas tjetrit, por nuk ka deri tani informacione se çfarë mjetesh shpërthyese ishin ato apo nëse kishte patur të plagosur.

Agjencia e lajmeve Reuters tha se të paktën një shpërthim u dëgjua të vinte nga një zonë e qytetit ku ka zyrat administrata e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Të martën katër vetë u plagosën nga një sulm me mortajë në kompleksin kryesor amerikan në Bagdad.

Po sot më herët, forcat amerikane në Irak asgjësuan objektiva në Tikrit, qyteti i lindjes i udhëheqësit të përmbysur, Sadam Husein, pranë vendit ku një helikopter i ushtrisë amerikane u rrëzua dhe mori flakë një ditë më parë duke shkaktuar vdekjen e të gjashtë ushtarëve amerikanë në bord.

Besohet se helikopteri Blackhawk që u rrezua dje u godit nga një granatë e qëlluar me raketë nga toka në periferi të Tikritit.

Në Falluxha, dy ushtarë amerikanë u vranë dhe një u plagos nga shpërthimi i një bombe në anë të rrugës, kur autokolona e tyre po kalonte. Ndërsa në Mosul, dëshmitarët thanë se kryengritësit hapën zjarr kundër një automjeti, që po transportonte me sa duket ushtarë amerikanë, duke plagosur disa prej tyre.

Gjendja e Sigurisë bëri që Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq të njoftonte sot mbylljen përkohësisht të zyrave të tij në kryeqytetin irakian dhe në qytetin e Basrës në Jug.

//ze//

XS
SM
MD
LG