Administratori amerikan në Irak Paul Bremer, tha se qindra terroristë nga Siria, Sudani, Arabia Saudite dhe Jemeni kanë hyrë në Irak. Zoti Bremer tha se krahas përparimit të përpjekjeve për rindërtimin e vendit, sulmet terroriste mund shtohen.
Zoti Bremer tha se sulmet terroriste është vështirë të ndalohen dhe ato do të shtohen më tej në se forcat e koalicionit nuk përmirësojnë aftësitë për të grumbulluar më shumë informacione zbulimi.
Ai tha se po shqyrton një propozim të Ministrisë së Brendshme irakiane për të krijuar një forcë speciale, të përbërë nga anëtarë të grupeve të armatosura që janë të lidhura me parti të ndryshme në Irak. Po ashtu, ai tha se, në të mund të përfshihen edhe disa anëtarë të ish shërbimit të zbulimit të udhëheqësit të përmbysur Sadam Husein. Por kjo njësi e re, tha ai, do të veprojë në bazë të rregullave të përcaktuara qartë.
Zoti Bremer tha se administrata amerikane nuk ka plane për t’u tërhequr para kohe nga Iraku. Tërheqja, theksoi ai, do të kishte pasoja fatale për Irakun dhe për mbarë Lindjen e Mesme.
Ai tha se beson se qeveria e ardhshme e Irakut do t’u kërkojë forcave të koalicionit të qëndrojnë në këtë vend për të ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit.// lk //