Lidhje

Presidenti polak premton mbështetje për integrimin e Shqipërisë në institucionet euroatlantike - 2003-11-12


Në Shqipëri, mbërriti sot për një vizitë zyrtare presidenti i Polonisë Aleksandër Kvashnjevski.

Ai pati takime kokë më kokë me presidentin e Shqipërisë Alfred Moisiu dhe u prit nga autoritetet më të larta të vendit. Presidenti Moisiu tha pas takimit se ishte i kënaqur nga mbështetja që kishte marrë për përpjekjet e Shqipërisë në integrimin euroatlantik si dhe nga gatishmëria e Polonisë për të ndihmuar me përvojën e saj. Polonia është një nga vendet lindore anëtare të Natos dhe vitin e ardhshëm do të jetë edhe anëtare e Bashkimit Evropian.

Presidenti Moisiu dhe Presidenti Kvashnjevski, kanë rënë dakord për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe zgjerimin e tij në sektorë si energjitika, transporti detar dhe tokësor.

Partia Demokrate e Re ofron bashkëpunimin e saj për zgjidhjen e krizës

Në Shqipëri, Partia Demokrate e Re tha se është e gatshme të bashkëpunojë me socialistët për nxjerrjen e vendit nga kriza.

Por këtë bashkëpunim, kryetari i saj Genc Pollo e kushtëzoi me caktimin e zgjedhjeve të parakohëshme për vitin e ardhshëm, korrigjimin e listave zgjedhore dhe përmirësimin e kodit zgjedhor. Qendrimi i kësaj partie erdhi pas ftesës për bashkëpunim nga kryeministri Fatos Nano. Demokratët e rinj u shprehën se nëse do të ulen për bisedime, kjo do të ndodhte vetëm pas kongresit të Partisë Socialiste. Në opinionin politik shqiptar, ky zhvillim po lexohet si një përpjekje e zotit Nano për të siguruar votat që i mungojnë në parlament për të plotësuar vendet bosh në qeverinë e tij.

Kritika të ashpra i drejtoi sot partisë së zotit Pollo kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha por edhe kryetari i socialdemokratëve Skënder Gjinushi, i cili e quajti këtë bashkëpunim të mundshëm si një skenar personal të kryeministrit Nano që mund të ketë pasoja për vendin dhe për të majtën shqiptare.

//rd//

XS
SM
MD
LG