Lidhje

Trafiku i të miturve në Shqipëri - 2003-11-13


Gazeta e njohur amerikane Nju Jork Tajms boton sot (13 nëntor) në faqe të parë një shkrim të gjatë për trafikun e të miturve në Shqipëri. Artikulli, me autor Nicholas Wood, ka titullin tronditës Për shqiptarët, puna ka ardhur deri këtu: "Shkëmbehet i biri për një televizor".

Autori sjell shembullin e një prindi në periferitë e Durrësit që i ka shitur djalin 3 vjeçar një italiani në shkëmbim të një televizori. Në artikull thuhet se në Shqipëri ka hedhur rrënjë një tregti e konsiderueshme e të miturve.

Askush nuk ka shifra të sakta për numrin e fëmijëve të shitur por sipas vlerësimeve të qeverisë, rreth 6 mijë të mitur janë dërguar jashtë për të lypur ose për prostitucion. Shumica e tyre, thuhet në artikull, vijnë nga komuniteti rom, që është më i varfëri në vend. Policia shqiptare vlerëson se në Greqi ka më shumë se 1 mijë fëmijë të tillë që punojnë kryesisht si lypës. Ky trafik është pjesë e një tregtie njerëzore në përmasa më të mëdha, përfshirë atë të grave dhe vajzave.

Në Shqipëri, thuhet në artikullin e Nju Jork Tajmsit, shumica e rasteve të dokumentuara të trafikut të të miturve kanë të bëjnë me fëmijë më të rritur që shiten nga familjet tek ndërmjetësit, të cilët pastaj i dërgojnë në Greqi dhe Itali për tu kthyer në lypës ose në prostituta të mitura.

//rd//

XS
SM
MD
LG