Lidhje

Komanda Qëndrore amerikane premton sukses në Irak - 2003-11-13


Kreu i Komandës Qendrore amerikane, gjeneral John Abizaid, tha se është i sigurt që trupat e koalicionit në Irak do t’i mposhtin kryengritësit që po përpiqen të dobësojnë vullnetin e Amerikës për të qendruar në Irak.

Gjenerali Abizaid tha sot në Florida se kërcënimi më i madh ndaj sigurisë në Irak paraqitet nga rreth 5 mijë anëtarë të Partisë Bath dhe besnikë të ish presidentit Husein. Ai tha se duket se kryengritësit janë të stërvitur, të armatosur dhe të financuar shumë mirë, por shtoi se nuk ka kërcënim ushtarak që mund të mposhtë forcat amerikane.

Gjenerali Abizaid hodhi poshtë edhe sugjerimet se Sadam Huseini mund të ketë planifikuar qendresën kundër koalicionit para se të përmbysej nga pushteti dhe e cilësoi atë si udhëheqësin më të paaftë ushtarak. Sot në Tikrit, shtarët amerikanë ndalën dy irakianë të dyshuar se kishin gisht në sulmin që rrëzoi helikopterin ushtarak Blackhawk javën e kaluar, duke shkaktuar vdekjen e 6 ushtarëve amerikanë.

Trupat amerikane në Bagdad vranë mbrëmë dy persona të dyshuar si kryengritës dhe arrestuan disa të tjerë. Zyrtarët thanë se dy sulmet ishin pjesë e Operacionit Çekiçi i Hekurt, që ka si qëllim kapjen e atyre që sulmojnë forcat e koalicionit. Në Irakun jugor, ministri italian i mbrojtjes vizitoi trupat italiane të plagosur në shpërthimin e djeshëm që shkaktoi vdekjen e të paktën 18 italianëve dhe të 9 irakianëve.

//rd//

XS
SM
MD
LG