Lidhje

Takimi i parë i Kartës së Adriatikut në Uashington - 2003-11-13


Zyrtarë të lartë të politikës së jashtme të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë ndodhen në Uashington për bisedime me zyrtarë amerikanë lidhur me anëtarësimin në NATO dhe bashkëpunimin rajonal. Vitin e kaluar, në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Pragë, tri vendet së bashku me Shtetet e Bashkuara krijuan Kartën e Adriatikut për t’i çuar përpara objektivat e tyre për anëtarësimin në NATO. Të tre vendet janë tashmë pjesë e programit të Natos Partneritetit për Paqe dhe të treja kanë dërguar trupa për misionet paqeruajtëse në Afganistan, ose Irak.

Në një takim të enjten në qendrën Woodrow Wilson këtu në Washington, zyrtarët nga Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia thanë se vendet e Ballkanit duhet të përfshihen në institucionet Euro-Atlantike. Ata vunë në dukje përpjekjet e vendeve të tyre për të plotësuar standardet e anëtarësimit si në NATO, ashtu edhe në Bashkimin Evropian.

Zëvendës ministri i jashtëm kroat Ivan Simonovic tha se vendi i tij shpreson të fillojë në fund të vitit 2004 negociatat zyrtare për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ai ka shpresa se Kroacia me ekonominë e saj që po zhvillohet me ritme të larta, do të jetë në gjendje të arrijë Bullgarinë dhe Rumaninë që mund të futen në Bashkimin Evropian që në vitin 2007.

“Besojmë se është e realizueshme. Megjithëse pa dyshim që nuk duam të pengojmë Bullgarinë dhe Rumaninë, ne duam që të ecim me hapa të shpejtë që t’i arrijmë këto vende, por jo t’i frenojmë ato”.

Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Luan Hajdaraga shprehu mbështetjen për nismën amerikane që mund të çojë në fillimin e negociatave për statusit përfundimtar për Kosovën, në vitin 2005.

“Kosova nuk mund të mbetet e izoluar dhe të jetë si një hendek ose vrima e zezë e rajonit, e Evropës Juglindore. Është shumë e rëndësishme që të ndihmohet Kosova për të plotësuar standardet e vetëqeverisjes të vendosura nga komuniteti ndërkombëtar dhe më pas për vendosjen e statusit përfundimtar ”.

Ministrja e Jashtme e Maqedonisë Ilinka Mitreva tha se vendi i saj po bën përparim drejt integrimit të pakicës shqiptare në strukturat e vendit. Ajo tha se qeveria është në prag të decentralizimit të një pjese të pushtetit, një hap që parashikohet në marrëveshjen e Ohrit. Ndërsa disa parti politike janë në favor të ndarjes territoriale mes shqiptarëve dhe maqedonasve, zonja Mitreva u shpreh kundër ndryshimit të kufijve në rajon.

“Bashkëpunim dhe integrim, po. Por ndryshimi i kufijve në Ballkan mund të çojë në konflikte të reja dhe në katastrofë”.

Tre zyrtarët e lartë të politikës së jashtme u zotuan për rritjen e bashkëpunimit në luftën kundër kontrabandës dhe trafikut të qenieve njerëzore në Ballkan.

XS
SM
MD
LG