Lidhje

Nënsekretari i Shtetit takohet me zyrtarët ballkanikë - 2003-11-14


Zyrtarë të lartë të politikës së jashtme të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë zhvilluan të premten në Uashington bisedime me zyrtarë amerikanë në kuadrin e Kartës së Adriatikut, një dokument ku nënvizohet mbështetja amerikane ndaj përpjekjeve të këtyre vendeve për tu pranuar në institucionet euroatlantike.

Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Luan Hajdaraga, Ministrja e Jashtme e Maqedonisë, Ilinka Mitreva dhe zëvendësministri i jashtëm kroat Ivan Simonovic, u takuan në Uashington me nënsekretarin amerikan të shtetit Richard Armitage.

“Ne morën shenja shumë të mira nga secili ministër, lidhur me zhvillimin ekonomik dhe shoqëror në vendet e tyre. Ne jemi shumë të nderuar që kemi sot këtu tre miq dhe presim që me ta të zhvillojmë shumë më tepër diskutime qoftë në Shqipëri, Maqedoni apo në Kroaci”, tha nënsekretari Armitage, për Zërin e Amerikës.

Zoti Armitage tha se i kishte shprehur zyrtarëve të lartë nga Ballkani vlerësimin e lartë të Shteteve të Bashkuara për bashkëpunimin në luftën globale kundër terrorizmit. Kjo është diçka që Uashingtoni nuk do ta harrojë kurrë, tha ai.

Por në takim u ngritën edhe disa çështje që përbëjnë shqetësim për këto vende dhe zgjidhjen e të cilave Uashingtoni e cilëson si kusht që këto vende të plotësojnë standardet e pranimit në institucionet euroatlantike.

“Natyrisht që ne ngritëm edhe çështje që unë do t’i quaja sociale siç janë trafiku njerëzor dhe folëm për përparimin e bërë. Por të katër ne e pranojmë se pa bërë përparim në këto çështje ne minojmë vetë indin e shoqërive tona”, tha nënsekretari amerikan i shtetit.

Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Luan Hajdaraga, i tha Zërit të Amerikës se bisedimet ishin mjaft të rëndësishme dhe se vendi i tij shpreson që në takimin e nivelit të lartë të Natos i cili do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Stamboll, Shqipëria të marrë një ftesë për t’u anëtarësuar.

Ai tha se standardet që duhet të përmbushë Shqipëria për tu pranuar në institucionet euro-atlantike kanë të bëjnë kryesisht me zhvillimin politik, ekonomik dhe me gjyqësorin.

“Nga vlerësimi që bëjmë neve, aleatët tanë dhe partnerët, del se Shqipëria është në rrugën e përnbushjes së tyre dhe në këtë rrugë ajo gëzon mbështetjen e SHBA dhe të vendeve të tjera”, tha ai.

Zoti Hajdaraga shtoi se në takimin me zotin Armitage nuk u diskutuan çështje që kanë të bëjnë me klimën aktuale politike në Shqipëri. //kk/

XS
SM
MD
LG