Lidhje

Shteti ligjor në Irak - 2003-11-16


Objektivi i koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara është kthimi i qeverisë irakiane popullit të Irakut. Por së pari, koalicioni duhet ta ndihmojë popullin irakian të vendosë paqen dhe qëndrueshmërinë në vend, duke krijuar shtetin juridik.

Sadam Huseini nuk besonte në shtetin juridik. Ai e mbajti pushtetin nëpërmjet një strukture të sofistikuar të shërbimeve të sigurimit, gjykatave revolucionare, dekreteve të jashtëzakonshme, informatorëve si dhe nëpërmjet shtypjes së kundërshtarëve. Por tani që Iraku është çliruar, sistemi ligjor po reformohet dhe po rindërtohet.

Në gjithë Irakun, terroristët, kriminelët dhe zyrtarët e korruptuar, njerëz si Abdul Munim, ish-guvernatori i Naxhafit, i cili u arrestua nga fundi i muajit qershor nën akuzat për korrupsion, po nxirren para drejtësisë dhe po përballen me gjyqe të hapura dhe të drejta.

Gjatë gjyqit të tij, gjykata dëgjoi prova se që prej çlirimit të Irakut, Munimi ilegalisht ndaloi 3 fëmijë të një kundërshtari politik, zhduku një dokument, që e ndalonte atë të tërhiqte para nga llogaritë qeveritare dhe ilegalisht mori para që i takonin një personi, i cili ishte liruar nga burgu. Ai u gjet fajtor dhe u dënua me 14 vjet burg.

Gjyqi i hapur dhe i drejtë i Abdul Munimit është vetëm një shembull i krijimit në Irak të asaj që presidenti Bush e cilësoi një shoqëri të sukseshme.

“Shoqëritë e suksesshme mbrojnë lirinë nëpërmjet sundimit të ligjit në mënyrë të vazhdueshme dhe objektive dhe jo duke zbatuar ligjin sipas dëshirës për të dënuar kundërshtarët politikë. Shoqëritë e sukseshme krijojnë kushte për institucione të dobishme civile, për parti politike e sindikata të pavarura, për gazeta e mjete të pavarura transmetimi, për garantimin e lirive fetare, të drejtën për t’i shërbyer Zotit dhe për ta nderuar atë pa pasur frikën e persekutimit. Shoqëritë e sukseshme privatizojnë ekonomitë e tyre dhe sigurojnë të drejtën e pronësisë. Ato ndalojnë dhe dënojnë korrupsionin mes qarqeve zyrtare dhe investojnë në shëndetin dhe arsimimin e popujve të tyre. Ato njohin të drejtat e grave dhe në vend që të drejtojnë urrejtjen dhe pakënaqësinë kundër të tjerëve, shoqëritë e sukseshme përpiqen për realizimin e shpresave të popujve të tyre,” ka thënë presidenti Bush.

Ndërkohë që koalicioni ndihmon popullin irakian të vendosë vetë-qeverisjen në vendin e tij, Iraku ka filluar rrugën e krijimit të një shoqërie të sukseshme.

XS
SM
MD
LG