Lidhje

Nju Jork: Shpallet maketi i muzeumit të parë madhështor të artit në qendër të Manhatanit - 2003-11-17


Arkitektët bënë të njohur modelin e muzeumit të parë madhështor të artit që do të ndërtohet në qendër të Manhatanit, Muzeu i Ri i Artit Bashkëkohor. Kerry Sheridan njofton nga New Yorku se muzeumi do të hapet në vitin 2006, rreth së njëjtës kohë me ndërtesat e tjera të artit që po ndërtohen në vendin kur dikur ngriheshin kullat binjake të Qëndrës Botërore të Tregëtisë.

Ndërtesa e Muzeut të artit bashkëkohor do të jetë me shtatë kate. Vetë ndërtesa do të jetë një simbol i arkitekturës bashkëkohore.

Mendoni shtatë kuti të mëdha këpucësh, të vendosura mbi njëra-tjetrën, të lidhura me çelik, vetëm me disa dritare katrore. Deri tani janë grumbulluar 20 milion dollarë të projektit prej 35 milion dollarësh.

Zyrtarët e qytetit, përfshirë kryetaren e Mahhatanit, Virginia Filds, e shohin planin për muzeun e ri si një tregues tjetër pozitiv se Manhatani i poshtëm do të rimëkëmbet nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001.

”Muzeu përcjell në mbarë qytetin dhe në gjithë botën mesazhin se ne po vazhdojmë të zhvillojmë Manhatanin e poshtëm dhe se jemi të gatshëm të ndërtojmë dhe të sjellim burime që do të tërheqin si turistët nga bota, ashtu edhe vizitorët brenda vendit,” thotë zonja Fields.

Qyteti i New Yorkut ka dhjetra muzeume, por më të shumtët ndodhen në pjesën e sipërme apo atë qendrore të qytetit.

Komisioneria për marrëdhëniet kulturore, Kate Levin, thotë se museu i artit bashkëkohor, edhe pse nuk sjell shumë të ardhura, ai është i rëndësishëm pasi pasqyron krijimtarinë dhe mënyrat e reja të mendimit.

”Arti, në fund të fundit nuk është tregëti, kështu që ka rëndësi të veçantë që muzeume të tilla të ekzistojnë për të na njohur me krijimet e artistëve tanë.”

Muzeu i ri i artit bashkëkohor u hap si një ekspozitë e vogël në vitin 1977 dhe në 1983 u zhvendos në një ndërtesë të vjetër në lagjen SOHO të Manhatanit. Ndërtesa e re do të vendoset në Bowery, një rrugë e njohur në një zonë të pazhvilluar që tani po sheh rigjallërim nga vepra të artit dhe kulturës.

Struktura futuristike është projektuar nga arkitektë japonezë të firmës SANAA në Tokio. Lisa Phillips, drejtore e muzeut të ri thotë se pamja e jashtme e veçantë duhet të balancojë artin e vendosur brenda vetë ndërtesës.

”SANAA ka projektuar një ndërtesë që shpreh vizionin tonë për muzeumet e së ardhmes, dhe ky muze do të jetë një pjesë e re shumë e rëndësishme e peisazhit të New Yorkut. Është një ndërtesë elegante por jo delikate, është praktike dhe tërheqëse. Ajo është projektuar për të inkurajuar çdo formë arti pa rënë ndesh me artin që do të tregohet brenda dhe përreth ndërtesës.”

Ndërtuesit do të fillojnë punimet në tetor të vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG