Lidhje

Presidenti Bush: Përhapja e lirisë sjell paqe. Përparimi i lirisë është thirrja e kohë sonë - 2003-11-18


Shtetet e Bashkuara kanë përqafuar një strategji të qartë drejt lirisë në Lindjen e Mesme. Presidenti George Bush e njoftoi këtë politikë gjatë ceremonive me rastin e 20-vjetorit të National Endowment for Democracy. Ky institucion u themelua në vitin 1983, një vit pasi Presidenti Ronald Reagan mbajti një fjalim para parlamentit britanik mbi nevojën për nxitjen e demokracisë nëpër botë.

Përmes National Endowment for Democracy, thotë Presidenti Bush, amerikanë të të gjitha partive politike po punojnë së bashku për të përmirësuar gjendjen e lirive njerëzore.

“Në qershor të vitit 1982, Presidenti Ronald Reagan, foli në pallatin Westminster dhe deklaroi se historia kishte arritur në një pikë kthese. Ai argumentoi se komunizmi sovjetik kishte dështuar pikërisht sepse nuk kishte respektuar popullin e vet, krijtimtarinë e tij, gjeninë e tij dhe të drejtat e tij. Presidenti Reagan i caktoi kësaj organizate misionin e saj: t’i jepte edhe më shumë shtytje përparimit të lirisë në mbarë botën”.

Lëvizja e madhe demokratike filloi në vitet 1970-të. Portugalia, Spanja dhe Greqia zhvilluan zgjedhje të lira. Deri në vitet ’80, ishin krijuar demokraci të lira në Amerikën Latine dhe institucione të lira po përhapeshin në Korenë e Jugut, Tajvan e gjetkë nëpër Azi. Deri në fund të vitit 1989, çdo diktaturë komuniste në Evropën Qendrore ishte rrëzuar. Në vitin 1990, qeveria e Afrikës së Jugut liroi nga burgu Nelson Mandelën; katër vjet më vonë ai u zgjodh president. Në vitin 1991, Bashkimi Sovjetik u shpërbë dhe shumë nga republikat e tij që sapo kishin fituar pavarësinë, filluan rrugën drejt demokracisë.

Por në pjesën më të madhe të vendeve të Lindjes së Mesme, thotë Presidenti Bush, demokracia nuk ka hedhur ende rrënjë.

”Ngrihen pikëpyetje: a janë popujt e Lindjes së Mesme disi të privuar nga përhapja e lirisë? A janë miliona burra, gra e fëmijë të dënuar nga historia apo kultura që të jetojnë në despotizëm? A janë ata të vetmit që nuk e kanë njohur kurrë lirinë dhe që kurrë nuk u është dhënë rasti të bëjnë një zgjedhje për këtë? As edhe për një moment nuk e besoj një gjë të tillë. Besoj se çdo njeri i ka aftësitë dhe të drejtën të jetë i lirë”.

Përhapja e lirisë në Lindjen e Mesme do të kërkojë të njëjtën këmbëngulje, energji dhe idealizëm, që çoi në përhapjen e sundimit të demokracisë në Evropë, Amerikën Latine, Azi dhe pjesë të tjera të botës. Por, siç tha Presidenti Bush, “përhapja e lirisë sjell paqe. Përparimi i lirisë është thirrja e kohë sonë.”

//ze//

XS
SM
MD
LG